Site icon Telegrafi

Vendet ku mund të udhëtojnë gjermanët, pavarësisht coronavirusit

Sezoni kryesor i udhëtimeve për pushime në Evropë po përfundon. Sidoqoftë disa rajone njoftojnë rritje të rasteve me coronavirus dhe rregulloret e udhëtimeve aktualizohen vazhdimisht.

Sezonit veror në Evropë ngadalë po i vjen fundi. Në shumë vende numri i infeksioneve me coronavirus po rritet sërish. Vendet po mbrohen me rregulla dhe kushtëzime të reja. Ku është maska e detyrueshme? Kush duhet të bëjë testin e kurorës? Cilat rajone shpallen zona të rrezikuara? Secili vend u përgjigjet këtyre pyetjeve në mënyrën e vet.

Gjermania

Në Gjermani në shtator të gjithë pushuesit, që kthehen nga zonat e rrezikuara, janë të detyruar të kryejnë testet.

Stacione për kryerjen e testeve janë vendosur në shumicën e aeroporteve gjermane dhe në vendkalimet më të mëdha kufitare. Deri tani këto teste kanë qenë falas.

Por pas vendimit të fundit të ministrave të Shëndetësisë të federatës dhe landeve gjermane, testet falas do të hiqen.

Parashikohet që, që nga 1 tetori udhëtarët që kthehen nga zonat me rrezikshmëri, të futen në karantinë.

Spanja

Në verë dhjetëra mijëra gjermanë shkuan përsëri me pushime në ishullin e tyre të preferuar Majorka dhe në Spanjën kontinentale. Por aktualisht numri i rasteve po rritet, sidomos në rajonin e Madridit.

Ministria e Jashtme Gjermane lëshoi një paralajmërim për rrezikun e udhëtimit në të gjithë Spanjën. Edhe ishujt Kanare janë shpallur zonë me rrezikshmëri.

Por megjithatë kush dëshiron të shkojë në Spanjë, duhet të plotësojë para udhëtimit një formular në internet, pastaj ai merr një kod QR, që duhet ta tregojë kur të mbërrijë me avion.

Në Spanjë zbatohen rregulla strikte ndaj koronës: jeta e natës ndalohet në mbarë vendin, pirja e duhanit është e ndaluar në hapësirat publike nëse distanca e sigurisë nuk mund të ruhet, gjithashtu edhe alkooli nuk lejohet të pihet më jashtë. Në Majorka plazhet dhe parqet janë të mbyllura nga ora 21:00 e mbrëmjes deri në 7:00 të mëngjesit. Baret, restorantet dhe kafenetë lejohen të pranojnë vetëm gjysmën e numrit të zakonshëm të klientëve.

Franca

Numri i rasteve të coronavirusit po rritet me shpejtësi edhe në Francë. Qeveria gjermane e zgjeroi me 9 shtator paralajmërimin për rrezikun e udhëtimit në disa pjesë të Francës: Përveç rajoneve Île-de-France dhe Provence-Alpes-Côte d’Azur tani edhe Occitanie dhe Nouvelle-Aquitaine si dhe ishulli i Korsikës janë futur në listën e aktualizuar të Institutit Robert Koch.

Vetë qeveria franceze shpalli 28 nga 101 rrethet administrative franceze “zona të kuqe”, ku virusi “qarkullon në mënyrë aktive”. Në Paris dhe shumë qytete të tjera këmbësorët dhe çiklistët duhet të mbajnë maska edhe në rrugë. Ata që bëjnë shkelje, rrezikohen të paguajnë një gjobë prej 135 eurosh.

Në të gjithë vendin në transportin publik dhe në hapësirat e mbyllura publike, siç janë dyqanet e mbyllura, është e detyrueshme mbajtja e maskës.

Biletat për shumë atraksione, si kulla Eiffel dhe Louvri janë të kufizuara, me qëllim që vizitorët të mund të mbajnë distancën e mjaftueshme. Biletat zakonisht duhet të rezervohen ose të blihen më parë në internet.

Britania e Madhe

Udhëtarët nga Gjermania dhe shumë vende të tjera evropiane mund të hyjnë pa kufizime në Britaninë e Madhe. Lista me këto “korridore udhëtimi” aktualizohet vazhdimisht. Çdo udhëtar duhet të paraqesë një formular të zgjeruar online me të dhënat e tij dhe informacione mbi destinacionet e mëparshme të udhëtimit.

Për udhëtarët nga vendet e tjera vlen ende detyrimi për të qëndruar dy javë në karantinë. Këtu hyjnë tashmë një numër vendesh evropiane si Spanja, Franca, Belgjika, Holanda, Austria dhe Kroacia.

Brenda Britanisë së Madhe secila pjesë e vendit vendos vetë për masat kundër pandemisë. Kështu që ekzistojnë rregulla të ndryshme për mbajtjen e maskës. Në disa zona, si në veriun e Anglisë, ka rritje të shpejtë të infeksioneve të reja. Prandaj ka kufizime lokale.

Greqia

Hyrja në Greqi nga shumica e vendeve të BE është e lejuar. Por pas shtimit të numrit të infeksioneve qeveria greke urdhëroi kufizime të gjera për rajone të shumta pushimesh dhe qytete, duke përfshirë kryeqytetin Athinë dhe qytetin port të Selanikut, si dhe disa rajone të Kretës. Festimet, ahengjet, festat fetare dhe tregjet javore janë të ndaluara. Të gjitha tavernat, baret dhe diskotekat duhet të mbyllen në orën 24:00.

Udhëtarët duhet të regjistrohen në mënyrë elektronike të paktën 24 orë para mbërritjes dhe të tregojnë se ku kanë qenë më parë dhe ku do të qëndrojnë. Përveç kësaj të gjithë ato, që vijnë nga jashtë duhet të paraqesin një test negativ, pavarësisht se nga cili vend vijnë. Testi nuk lejohet të jetë më i vjetër se 72 orë. Në plazhe çadrat duhet të ndodhen të paktën katër metra larg njëra-tjetrës. Maska është e detyrueshme në të gjitha objektet e mbyllura, si dhe në tragete dhe në varkat e hapura.

Austria

Austria pret një rritje të numrit të infeksioneve, sidomos në kryeqytetin Vjenë. Në përgjithësi vlen ky rregull, nëse dhjetë ditë më parë keni qenë në një zonë me rrezikshmëri korone, duhet të tregoni një test negativ për të hyrë në Austri ose të hyni në karantinë. Pushuesit gjermanë, që kthehen në shtëpi nga Kroacia, Rumania dhe Bullgaria, duhet të kalojnë nëpër Austri pa u ndalur as në pika karburanti. Rekomandohet që makinat të mbushen me karburant që më parë në Slloveni.

Gjatë sezonit të verës Austria në shumë vende pushimesh arriti një numër të konsiderueshëm turistësh. Tani Kancelari Sebastian Kurz dha shpresa edhe për sezonin e dimrit. Turizmi në zonat e skijimit do të jetë i mundshëm edhe gjatë pandemisë së koronës. Koncepti përkatës është duke u përpunuar.

Holanda

Gjermanët mund të hyjnë pa asnjë problem. Por paralajmërimet janë ashpërsuar për Spanjën, Francën dhe Belgjikën. Kushdo, që hyn në Holandë nga këto vende, duhet të qëndrojë në karantinë për 14 ditë.
Nga numri i shpejtë i infeksioneve të reja në rritje janë të prekur sidomos Amsterdami dhe Roterdami. Atje ekzistojnë edhe rregullat më të rrepta. Në sheshe, dyqane në qendër të qytetit duhet të mbahen maska.

Belgjika

Në parim turistët gjermanë lejohen të hyjnë në Belgjikë. Por për disa rajone gjermane ka kushtëzime të rrepta. Udhëtarët nga Bavaria e Sipërme dhe e Poshtme, Arnsbergu, Dyseldorfi dhe Darmstadti duhet të kalojnë në një karantinë 14-ditore. Rekomandohet edhe testi i koronës.

Në aeroportin e kryeqytetit Bruksel të gjithë pasagjerëve u matet temperatura me kamera termike.

Hyrja mund të refuzohet, nëse temperatura i kalon 38 gradë. Për shkak të rritjes së numrit të rasteve të koronës, në Belgjikë janë ashpërsuar përsëri masat. Maskat janë të detyrueshme në vende publike me audiencë të madhe, si dhe në autobusë dhe trena, muze dhe dyqane. Në bare dhe restorante klientët duhet të japin të dhënat personale. Pazarin mund ta bëni vetëm i vetëm dhe maksimalisht për 30 minuta.

Për shkak të rritjes së konsiderueshme të rasteve të koronës, Ministria e Jashtme Gjermane këshillon, që të mos udhëtohet për në Bruksel. Pushuesit, që kthehen në shtëpi nga Brukseli, duhet t’i nënshtrohen një testi. Derisa të dalë rezultati, udhëtarët duhet të qëndrojnë në karantinë në shtëpi. Paralajmërimi për rrezikun e udhëtimit për rajonin e Antwerpenit u hoq nga qeveria gjermane me 2 shtator.

Italia

Lajmet e fundit nga Italia: Për të udhëtuar në ishullin mesdhetar të Sardenjës, duhet të paraqitet një test negativ, që nuk duhet të jetë më i vjetër se 48 orë. Numri i infeksioneve në të gjithë vendin është rritur ndjeshëm kohët e fundit, prandaj qeveria italiane ka zgjatur masat për koronën deri në 14 tetor. Të gjitha diskotekat janë të mbyllura, në të gjithë vendet publike kërkohet të mbahen maskat natën.

Me përjashtim të Sardenjës, shumica e pushuesve nga BE lejohen të hyjnë pa kufizime. Roma vendosi edhe një herë një karantinim dyjavor për të ardhurit nga Kroacia, Greqia, Malta, Spanja, Bullgaria dhe Rumania – kjo vlen edhe për vizitorët nga vendet jo anëtare të BE.

Brenda Italisë mund të lëvizet pa pengesa. Në dyqane, trena ose hapësira të tjera të mbyllura është e detyrueshme maska. Grumbullimet e mëdha janë të ndaluara. Nëse njerëzit qëndrojnë bashkërisht shumë pranë dhe pinë në sheshe, ndërhyn shpesh policia. Në plazhe duhet të respektohen rregullat e distancës. Në bare dhe restorante shumë pronarë i kanë vendosur thuajse të gjitha tavolinat jashtë.

Kroacia

Në destinacionin e preferuar të pushimeve në Adriatik, kurba e infeksioneve po tregon rritje. Pasi Austria dhe Italia lëshuan një paralajmërim udhëtimi për Kroacinë, Gjermania ndoqi shembullin e tyre: Ministria e Jashtme paralajmëron nga rreziku i udhëtimeve në këto rajone: Shibenik-Knin, Split-Dalmaci dhe Zadar. Këtu bëjnë pjesë destinacione të njohura pushimesh, si qyteti port i Splitit dhe Zadari, Parku Kombëtar Krka dhe ishujt Braç dhe Hvar. Këtyre u shtohen edhe rajonet Dubrovnik-Neretva dhe Pozhega-Sllavonia.

Qeveria kroate po ashpërson kërkesat e saj: të gjitha lokalet dhe klubet duhet të mbyllen në mesnatë, aktivitetet me më shumë se 100 persona nuk lejohen. Përveç kësaj rregullat e distancës dhe mbajtja e maskave duhet të zbatohen në trafikun urban dhe në hapësirat e mbyllura. Gjermanët dhe shtetasit nga vendet e tjera të BE lejohen të hyjnë në vend. Në kufi udhëtarët duhet të tregojnë vetëm, se ku do të jenë dhe të japin numrin e telefonit.

Turqia

Pas Spanjës dhe Italisë, Turqia është destinacioni i tretë më i preferuar i pushimeve për gjermanët. Në fillim të gushtit Ministria e Jashtme dha dritën jeshile për udhëtime në bregdetin turk. Paralajmërimi i udhëtimit është hequr për provincat e Antalias, Izmirit, Aydin dhe Mugla. Për të gjitha provincat e tjera, duke përfshirë metropolin Stamboll dhe kryeqytetin Ankara, paralajmërimi për rrezikun e udhëtimit mbetet në fuqi deri në 14 shtator.

Të gjithë ata që kthehen nga Turqia në Gjermani, para se të largohen nga vendi, duhet të tregojnë testin negativ të koronës, që duhet të jetë jo më të jetë më e vjetër se 48 orë. Turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm për Turqinë. Sipas shifrave zyrtare, më shumë se pesë milion gjermanë pushuan atje vitin e kaluar. Turizmi është dëmtuar shumë për shkak të pandemisë. Vetëm në qershor, sipas Ministrisë së Turizmit, në Turqi pati gati 96 përqind më pak pushues sesa në vitin e kaluar. /DW/

Exit mobile version