Telegrafi

Vendet e QUINT-it në OSBE me deklaratë përbashkët për sulmin në veri: Autorët duhet të sillen para drejtësisë

Ambasadori amerikan në OSBE, Michael Carptner, ka lëshuar një deklaratë të përbashkët në emër të SHBA, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Përmes kësaj deklarate ata kanë dënuar sulmet e grupit terrorist ndaj Policisë së Kosovës, që ndodhën në Banjskë të Zveçanit.

Gjithashtu në këtë deklaratë, thuhet se autorët e këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë.

“Po e bëj këtë deklaratë të përbashkët në emër të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të SHBA-së”.

“Dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme në afërsi të Manastirit të Banjskës më 24 shtator që çuan në humbjen e jetës së një rreshteri të Policisë së Kosovës. Ne shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për një vdekje kaq tragjike të një polici në krye të detyrës. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të sillen para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent”.

“Ne vlerësojmë koordinimin e ngushtë të Policisë së Kosovës me Forcën e Kosovës të udhëhequr nga NATO dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë për të garantuar sigurinë e civilëve dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën nga afër. Ne ritheksojmë angazhimin tonë për të ulur tensionet. Në këtë drejtim, prioriteti ynë mbetet ecja përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke filluar me kthimin në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Diplomacia është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.