Qindra miliona euro, mjete të taksapaguesve të vendeve mike të Kosovës, janë investuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Jo të gjitha kanë përfunduar aty për ku ishin destinuar. Një pjesë e madhe e tyre janë keqpërdorur.
Kështu ka thënë ish-drejtori i “Kosova B”, inxhinieri Avni Kurshumliu, në një intervistë dhënë gazetës. Ka thënë se në keqpërdorimin e donacioneve të destinuara për t’u investuar në KEK fajin më të madh e kanë ndërkombëtarët.
Mirëpo, sipas tij, bashkëfajtorë janë edhe vendësit, të cilët kanë marrë pjesë në menaxhimin e KEK-ut, apo u kanë dhënë leje kompanive konsulente të marrin në menaxhim këtë korporatë, e të cilat nuk kanë qenë profesionale.
“Kuadri më i aftësuar që ka qenë në menaxhment të KEK-ut ishte një person nga Afrika e Jugut, që me shkollim ka qenë inxhinier i bujqësisë dhe makinave bujqësore. Në kohën e tij ka pasur aq shumë lëshime dhe faktikisht e kanë lënë KEK-un edhe pa ekip të zhvillimit, që është e paarsyeshme për një ndërmarrje të tillë”, ka thënë Kurshumliu për menaxhmentin ndërkombëtar që ishte në ESBI. /Koha Ditore/