Në malet e thella dhe të dendura që ndodhen në regjionin Guanxi të Kinës, do të ndërtohet një qytet që do të jetë një me natyrën.
Me projektin e veçantë që quhet Qyteti Mal i Luizhout, bëhen përpjekje që të zhduket ndotja dhe të jetohet në një ambient të pastër, transmeton Telegrafi.
Bashkimi i zonave urbane me hapësira të gjelbra, nuk është aspak e re. Por, në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me parqe apo bulevarde, por ndërtesat krejtësisht të mbuluara me bimë.
Brenda tri viteve të ardhshme pritet të përfundohet ky qytet, në të cilin do të jetojnë rreth 30 mijë banorë. Mbi një milion bimë nga 100 loje të ndryshme, krahas 40 mijë pemëve, do të mbillen në qyetin që ka 175 hektarë. Në këtë formë, pritet që absorbohen tonelata CO2 dhe papastërti tjera, teksa do të prodhohen tonelata tjera oksigjen.
Zogjtë dhe insektet do të përfitojnë po ashtu nga ky ambient, pasi këto specie goditen më së shumti kur urbanizohen zonat. Por, kjo nuk do të thotë se njerëzit do të jetojnë në shtëpi druri të rrethuara me gjethe, por banesa normale me panele diellore që do të ndihmohen nga treni elektrik.
Vendbanim gati i njëjtë është krijuar edhe në Milano të Italisë, ku një kompleks banimi është tërësisht i rrethuar në këtë formë. Kjo godinë ka qenë shumë efikase dhe ka marrë shpërblime nga kompani të ndryshme që merren me arkitekturë. I njëjti pritet të ndërtohet edhe në Shijiazhuang.
Ndërtimi i një vendbanimi të tillë, në zemrën e një vendi industrial, do ishte test i mirë në luftën për eliminimin e ndotjes së ajrit.
Rreth 1.1 milionë njerëz vdesin çdo vit në Kinë, si pasojë e smogut dhe ajrit të papastër. Sikur ky projekt të arrijë synimet, mund të shtrihet edhe në vende tjera, përfshirë në Indi apo zona tjera me të njëjtin problem. /Telegrafi/