Gjatë mbrëmjes së sotme në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, është zhvilluar ndeshja në mes të Vëllaznimit dhe Yllit, ndeshja e cila është mbyllur me rezultat 92:70, në të mirën e skuadrës nga Gjakova.
Këtë përballje më mirë e nisën nikoqirët, ku llogarinë e pikëve hapi Jericole Hellems, epërsi që Vëllaznimi e mbajti deri në fund të çerekut të parë, i cili u mbyll me rezultatin 17 – 12.
Me të nisur çereku i dytë skuadra e Yllit, arritën që në një moment të barazonin rezultatin e ndeshjes në 26 – 26, ku me rezultatin 33 – 33, u mbyll edhe pjesa e parë e kësaj ndeshjeje.
Me të filluar çereku i dytë, Ylli arriti që përmes 3 pikëve të shënuara nga Armstead, të kalojë në epërsi me rezultatin 35 – 36, por më pas më efikas edhe në këtë pjesë e deri në fund të përballjes u treguan basketbollistët e Vëllaznimit, të cilët arritën ta shënojnë edhe fitoren e 11-të sezonale me rezultatin 92:70.
Me 24 pikë, 6 kërcime e 5 asistime basketbollisti më efikas i ndeshjes ishte Arian Azemi, i pasuar nga Jericole Hellems i cili shënoi 23 pikë, bëri 4 kërcime e dha 5 asistime.
Ndërsa basketnollisti më efikas tek Ylli ishte Jan Palokaj, i cili shënoi 18 pikë, bëri 6 kërcime e dha 3 asiste.
Me këtë fitore Vëllaznimi e dërgon bilancin e përgjithshëm të skuadrës në 11 fitore, e 9 humbje, ndërsa pas kësaj humbjeje skuadra nga Suhareka bilancin e skuadrës e kanë dërguar në 8 fitore e 12 humbje.
Në xhiron e ardhshme Vëllaznimi i shkon Prishtinës, ndërsa Ylli e pret Prizrenin. /Telegrafi/