Nuk ka sjellë fitues ndeshja mes Feronikelit dhe Vëllaznimit që pati përfundim dramatik me dy gola në kohën shtesë 1-1.
Feronikeli që nga fillimi i ndeshjes rrezikoi portën e mysafirëve, ku fillimisht Kone në minutën e nëntë rrezikoi.
Në minutën e 20-të rast të artë pati Yll Hoxha kur goditi fuqishëm por që shtylla shpëtoi mysafirët.
Vëllaznimi e gjeti golin në minutën e 29-të me Egzon Gashin, por që u anulua nga gjyqtari pasi sulmuesi i gjakovarëve kishte luajtur me dorë.
Haxhi Shala rrezikoi për vendasit në minutën e 44-të por që portieri Muhaxhiri priti.
Ashtu siç filloi pa gola edhe u mbyll 45 minutëshi i parë i kësaj sfide.
Feronikeli e nisi pjesën e dytë me dy raste të mira shënimi brenda një minute.
Fillimisht Arbër Prekazi tentoi me kokë por që goditje e tij u prit nga Muhaxheri. Portieri gjakovar intervenoi në mënyrë të mrekullueshme edhe pas goditjes nga Maliqi.
Besnik Krasniqi pati një mundësi të artë shënimi në minutën e 71-të, por goditja e tij e fuqishme u ndal nga Faton Maloku.
Vëllaznimi pati një mundësi tjetër katër minuta para fundit, por goditja e Lorik Rudit shkoi mbi portë.
Kur të gjithë po prisnin fundin e ndeshjes, në skenë doli Hamed Kone i vendasve që shënoi golin e epërsisë 1-0 në minutën e fundit.
Por në aksionin vijues, gjakovarët nuk u dorëzuan dhe me anë të Tun Bardhokut realizuan për të marrë një pikë të artë 1-1.
Feronikeli pas kësaj pike të fituar, vazhdon të mbetet në pozitën e shtatë në tabelë me 45 pikë të grumbulluara.
Ndërkohë Vëllaznimi vazhdon të mbetet në vendin e nëntë me 43 pikë dhe do të tentojë t’i ikë barazhit në ndeshjen e fundit.
Feronikeli do të tentoj t’i ikë barazhit në ndeshjen e ardhshme ndaj Flamurtarit në xhiron e fundit.
Sfidë tejet e vështirë do të jetë edhe për Vëllaznimin që para adhuruesve të vet pret Gjilanin. /Telegrafi/