Vëllaznimi i Gjakovës dhe Sigal Prishtina siguruan vendet në finalen e Ligës Unike pasi mposhtën Golden Eagle Yllin (76-75) dhe Besëlidhjen (81-67) në gjysmëfinalet e turneut “Final 4”.
Ndeshja më dramatike u jetua mes Vëllaznimit dhe Golden Eagle Yllit. Gjakovarët filluan çerekun e katërt me 59-55, por Ylli ktheu rezultatin në 75-74 me 1:17 për në fund. Megjithatë, Jason Jitoboh u shfaq hero duke shënuar dypikëshin fitues (76-75) vetëm 5 sekonda para mbarimit.
Lis Shoshi kishte mundësinë për të shpëtuar Yllin me një tresh të fundit, por gjuajtja e tij nuk gjeti cakun.
Jitoboh mbylli me 17 pikë, ndërsa Trey Anderson ishte më efektivi me 23 pikë. Për Yllin, Shoshi shkëlqeu me 17 pikë dhe 14 ribounda, por gabimet e Artin Gashit dhe Jan Palokaj në momentet vendimtare i kushtuan skuadrës së Suharekës.
Sigal Prishtina thyen rezistencën e Besëlidhjes
Në gjysmëfinalen e dytë, Sigal Prishtina dominoi në fillim (50-33), por Besëlidhja e Lezhës u kthye fuqishëm dhe barazoi në 63-63 në minutën e 35-të.
Sidoqoftë, një përfundim i fortë dhe 19 pikët e Jordan Davisit i çuan “bardhekaltrit” në fitore (81-67). Marcellus Garrick luftoi vetëm për Besëlidhjen me 24 pikë.
Finalja e madhe të enjten
Finalja Sigal Prishtina – Vëllaznimi luhet të enjten (20:00), ndërsa ndeshja për vendin e tretë (Golden Eagle Ylli vs. Besëlidhja) fillon në 17:00.
Ky është edizioni i 4-të i Ligës Unike, një garë që ende pret të realizojë potencialin e plotë të pritur. /Telegrafi/