Është gjetur i vdekur ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, i cili sipas prokurorisë dyshohet se është vrarë e më pas është djegur.
Vrasja ndodhi rreth orës 01.30 pas mesnate në fshatin Zahaq të Pejës, rreth 300 metra nga shtëpia e të ndjerit.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin. Zëvendëskomandanti i Policisë në rajonin e Pejës, Veton Elshani, tha se brenda një veture të tipit ‘Pasat’ është gjetur trupi i djegur i Qerim Kelmendit.
Lidhur me ngjarjen për RTV Dukagjini ka folur vëllai i të ndjerit, Osman Kelmendi. Sipas tij, dyshimet janë që kjo ishte vrasje e porositur nga shërbimet serbe.
“Krejt çka dyshojmë është se kjo ishte një vrasje e porositur nga shërbimet serbe. E gjithë jeta e vëllait tim Qerimit karakterizohet nga veprimtaria patriotike”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Osman Kelmendi.
Kelmendi shtoi se Qerimi kishte bërë një jetë të qetë pavarësisht që ishte ndër ushtarët e parë të UCK-së dhe me plagë të luftës.
“Si i ri ka qenë i përndjekur, pastaj i burgosur politikë, pastaj prej ushtarëve të parë të UÇK-së, ushtari i parë i UÇK-së i plagosur. Pas lufte ka bërë një jetë të qetë si invalid i luftës”, deklaroi më tej Osman Kelmendi.
Qerim Kelmendi ishte vëllai i Ibrahim Kelmendit, njërit nga drejtuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës. I ndjeri në postimin e fundit në rrjetin social Facebook, kishte shkruar se urrehet nga mijëra shqiptarë. Këtë postim e kishte bërë në mbrojtje të ish-luftëtarit tjetër, Nasim Haradinaj. Ky i fundit e kishte quajtur ish presidentin Ibrahim Rugova, tradhtarë./RTV Dukagjini/