Telegrafi

​Vëllai i Mon Balajt: Bërja e shtetit e dëshiron sakrificën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me familjarët, miq, anëtarë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë homazhe tek varri i Mon Balaj në përkujtim të 13 vjetorit të rënies së tij.

Vëllai i Monit, Fahri Balaj tha se sot duhet të ndihemi krenar që ëndrrat e dëshmorëve, ëndrrat e Monit dhe Arbenit dhe vullneti i shumë familjeve tjera do të bëhet realitet.

Balaj shtoi se sot para 13 vitesh ishin moralisht dhe shpirtërisht të thyer, por që dhimbjen e tyre e kaluan me mbështetjen e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sot u bënë 13 vite, 13 vite më parë ndiheshim moralisht dhe shpirtërisht të thyer, mirëpo me ndihmën e pa shoq dhe mbështeten që na e dhanë pandërprerë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosjes ia arritëm që të mbajmë vetën dhe të themi që bërja e shtetit dhe rrugëtimi drejt tij e dëshiron sakrificën”, tha ai.

Ai tha familja e tij u rreshtua krah lëvizjeve dhe individëve të cilët e kishin idealin e një shteti të mirë për të gjithë.

“Jo rrallë herë si familje nëpër epokat e ndryshme ishim rreshtuar krah lëvizjeve dhe individëve të cilët kishin të vetmin ideal, idealin që shteti të jetë i mirë për të gjithë, shtet i barabartë dhe i drejtë për të gjithë”, tha Balaj.

Në emër të familjes, ai i falënderoi të gjithë të pranishmit të cilët bënë homazhe për nder të 13 vjetorit të rënies së Monit./kp/Telegrafi/