Shkëlqim Pajazitaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, për lirimin nga akuza Naser Pajazitajn, të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
Vëllai i Donjetës u shpreh se nga sot e tutje më nuk kanë besim as në Polici, Gjykata e Prokurori, pasi siç shkroi ai, që shtatë vjet nuk kanë qenë në gjendje ta ndriçojnë rastin.
Ndër të tjera, ai shkroi se shteti po vret.
“Drejtesia e kosoves edhe njeher vertetoi se sa e fëlliqur eshte, edhe nje here vertetoi se njërzillaku nuk po ekzistojka, e vertetoi qe njerzimi qe punon aty e SHESIN fytyren e tyre per para. Nga sot e tutje ne nuk kemi besim as ne Polici, Gjykat e as ne Prokurori kur qe 7 vite nuk kenë ne gjendje me e zbulu te verteten Keta me shumë jane te interesuar te marin nje page nga shteti sesa te vën drejtesi ne vendin e tyre. SHTETI PO VRET”, shkroi Pajazitaj në Facebook.
Gjykata Supreme liroi nga akuza Naser Pajazitajn, të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
“Duke ju falenderuar per pyetjet, ju njoftoj se Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik.”, u bë e ditur në përgjigjen e Uka-Lutfiut.
Sipas aktakuzës së vitit 2017, Naser Pajazitaj ishte akuzuar se më 9 nëntor të vitit 2015 në bjeshkët e Strellcit, në Deçan te vendi i quajtur “Kroi i Lajthisë” me armë dhe në mënyrë mizore kishte vrarë Donjeta Pajazitajn. Naser Pajazitaj ishte ngarkuar me veprën penale “Vrasje e rëndë”.