Telegrafi

Vëllai 15 vjeç i Bersant Celinës firmos kontratë profesioniste

Vëllai i vogël i sulmuesit të Përfaqësueses së Kosovës e Manchester Cityt, Bersant Celina, Loti Celina, ka firmosur kontratë profesioniste me skuadrën elitare të futbollit të Norvegjisë, Stromsgodset.

Lajmi është bërë i ditur të enjten nga mediumet norvegjeze dhe në uebfaqen zyrtare të skuadrës norvegjeze. Celina 15-vjeçar ka firmosur kontratë profesioniste deri në qershor të vitit 2017 dhe gjatë kësaj kohe pritet të debutojë me ekipin e parë, përcjell Koha Ditore.

Celina ka disa vjet që është pjesë e akademisë së Stromsgodset dhe ka bindur krerët e klubit që t’i ofrojnë kontratën e parë profesioniste.

“Loti është një lojtar shumë premtues me një potencial të jashtëzakonshëm. Jemi të lumtur që ai do të zhvillohet edhe më tutje me ekipin tonë”, ka thënë drejtori sportiv i Stromsgodsetit, Jostein Flo.

“Do t’i mundësojmë Lotit që t’i ketë stërvitjet më të mira të mundshme dhe do t’i përdorim ekspertët që ai të bëhet futbollist edhe më i mirë. Ai do të punojë me ekipin e parë për çdo ditë dhe duhet të ketë durim”.