Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, sot në mëngjes është paraqitur në Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai nuk është futur përmes hyrjes zyrtare, por në njërën nga hyrjet e pasme të ndërtesës.
Veljanovski është në mesin e pesë të dyshuarve për organizimin e ngjarjeve të përgjakshme në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Për të Prokuroria në muajin shkurt kërkoi paraburgim, por gjykata nuk ia caktoi, pasi Kuvendi nuk ia hoqi mandatin e deputetit.
Hetimet nga celulari i Veljanoskit, që ishte pjesë e dëshmive në procesin gjyqësor për ngjarjet e dhunshme, treguan se ai ka shkëmbyer mesazhe me Nikolla Gruevskin, para dhe në ditën e “të enjtes së përgjakshme”.
Ndryshe, përveç Veljanoskit si të dyshuar për organizimin e ngjarjeve të 27 prillin, dyshohen të jenë edhe Nikolla Gruevski, Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski.
Ndërsa theksojmë se para disa javëve, Gjykata Penale në Shkup dënoi me burg Mitko Çavkovin dhe disa persona tjerë, si përgjegjës për ngjarjet e 27 prillit./Telegrafi/