Site icon Telegrafi

Veliu thotë se fryma e fitores së LDK-së ka arritur kudo, Vjosa Osmani e quan Llapin kala të pamposhtur

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të fushatës parazgjedhore ka qëndruar sot në Podujevë, ku është pritur nga qindra simpatizantë të kësaj partie.

Në tubimin që është mbajtur në ambientet e Shkollës Fillore “Ibrahim Rugova”,  nënkryetari i parë i LDK-së dhe kryetari i degës së LDK-së në Podujevës, Agim Veliu, i ka uruar mirëseardhje kandidates për kryeministre,Vjosa Osmani.

Me këtë rast Veliu tha se Dega e LDK-së në Podujevë, edhe këtë herë është mobilizuar fuqishëm që ta rris votën për LDK-në, për kandidaten tonë për kryeministre dhe kandidatët e degës për deputetë.

“Nominimi i Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës, shënon një momentum të rëndësishëm politik si për LDK-në ashtu edhe për Kosovën”, tha Veliu.

Ai më tej tha se “LDK garon me një kandidate femër, të mirë përgatitur dhe me përkrahje të gjerë partiake dhe qytetare”.

“Strukturat e LDK-së në Llap janë të angazhuara fuqishëm në secilën pjesë të komunës së Podujevës  për të arritur fitoren e madhe”, tha ai, duke shtuar se “fryma e fitores ka arritur kudo”.

“Në fitoren e madhe të LDK-së sot besojnë të gjithë, të rinj e të reja, burra dhe gra. Besojnë edhe ata që kishin humbur shpresën, të dëshpëruar skajshmërisht nga qeverisja abuzive e korruptive e PAN-it…  Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga LDK-ja, do t’ia kthejë shpresën qytetarëve të vendit për një shtet normal, ndërsa Llapin e diskriminuar skajshmërisht nga ata që udhëhoqën vendin në dy vitet e fundit, do ta kthejë në një zonë të investimeve dhe projekteve zhvillimore”, tha Veliu.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, duke falënderuar kryetarin Veliu dhe anëtarësinë e LDK-së, për pritjen e organizuar, tha se është e nderuar që gjendet në Llap, i cili gjithmonë ia ka kthyer shpresën Kosovës.

Ajo tha se ndjehet e lumtur që gjendet në Llapin ku i ka rrënjët familja e saj në Llap, kurse Llapi asnjëherë nuk ia ka kthyer shpinën rrugës së drejtë të Ibrahim Rugovës.

“Llapjanët nuk ia kthyen kurrë rrugës së drejtë që e çon Kosovën përpara. E, ajo është, siç e tha edhe kryetari Veliu, rruga e Ibrahim Rugovës.  Llapi ia ka kthyer shpresën Kosovës edhe në kohërat më të vështira. Në Llap i ka rrënjët edhe familje ime, jo vetëm rrënjët por edhe krahët. Llapi nuk ia ka kthyer shpinën kurrë rrugës së drejtë të Ibrahim Rugovës. Ishit ju llapjanët që i ndezët kushtrimin e mobilizimit të Ibrahim Rugovës.”

Ajo shtoi se as në kohërat më të brishta fitoren e LDK-së nuk ka mundur të rrezikojë askush, madje edhe kur presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova ishte i rrezikuar.

“Edhe në kohërat më të brishta askush nuk ka mundur ta ndal fitorën e LDK-së. Asnjëri nga ne nuk kemi harruar në çfarë gjendja ishim në atë kohë dhe nga kush rrezikohej Kosova. Por askush se kishte imagjinuar se Rugova pas kthimit të tij nga Italia kishte zgjedhur të vizitonte Llapin. Ai kishte shkuar për të nderuar Bradashin e Enver Malokut, Podujevën e Xhemajl Mustafës, Zahir Pajazitit e Hakif Zejnullahut.”

Osmani, në fjalimin i bëri thirrje elektoratit të Lidhjes Demokratike të ndezin kushtrimit për fitorën e shtetit ligjor, duke shtuar se ky ishte amanet i presidentit Rugova.

“Pra, ju të gjithë të ndezni kushtrimit për fitoren e shtetit ligjor, ku të rinjtë e të rejat e gjejnë vetën dhe nuk turpërohen nga liderët e vet”.

Ajo e ka quajtur Llapin kalanë më të pamposhtur që ka pasur LDK.

“Kjo kala e pamposhtur, duhet t’i japë jehonën e fitores gjithë Kosovës”, tha Osmani. /Telegrafi/

Exit mobile version