Telegrafi

Veliu: Do ta kthejmë Podujevën në zgjedhjet e vjeshtës së ardhshme, koha do ta dëshmojë se propaganda kundër meje ka qenë e fabrikuar

Foto: Arkiv

Ish-kryetari i Komunës së Podujevës, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka reaguar sërish pas humbjes së LDK-së, në zgjedhjet lokale në Podujevë.

Veliu ka thënë se Dega e LDK-së, në Podujevë pësoi humbjen e parë që nga themelimi i partisë prej 31 vitesh, transmeton Telegrafi.

“Llapjanët folën dje. Kur flet sovrani të gjithë duhet të heshtin. Dega e LDK-së në Podujevë, që nga themelimi i partisë prej 31 vitesh, e pësoi humbjen e parë në zgjedhje. Është e rrallë për një parti demokratike të ketë besim aq të gjatë qytetar, të palëkundur dhe konsistent, në kohë të vështirë dhe ditë të mira”, ka thënë Veliu në reagimin e tij.

Më tej ai ka shkruar se ndaj tij dhe ndaj LDK-së është bërë propagandë.

“E çmoj jashtëzakonisht shumë dhe përkulem para këtij besimi që na keni dhënë për gati 31 vite. Këtë besim e kam respektuar dhe do ta vlerësoj përgjithmonë.
Koha do ta dëshmojë se propaganda kundër meje dhe LDK-së ka qenë e fabrikuar dhe false”, pohoi ai.

Megjithatë, Veliu ka pohuar se do të fitojnë sërish Podujevën në zgjedhjet e ardhshme.

“Kundërshtarët politikë ne nuk i konsiderojmë armiq, siç na identifikojnë ata neve. Sot është një ditë reflektimi për neve. Do ta analizojmë me kujdes humbjen në zgjedhjet lokale, do të identifikojmë dhe korrigjojmë mangësitë tona, do ta zgjerojmë ekipin konform nevojave të qytetarëve, për tu rikthyer triumfalisht në Podujevë në zgjedhjet e vjeshtës së ardhshme”, thekson ai.

Ndryshe, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut.

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka thënë në një konferencë për media se Shpejtim Bulliqi (LVV), ka fituar 51.64 për qind, Nexhmi Rudari (LDK), 36.97 për qind dhe Naim Fetahu (PDK), 12.40 për qind. /Telegrafi/