Site icon Telegrafi

Veliu i kundërpërgjigjet Kurtit: Mashtrues tipik, i ka dhimtë që aksioni shkoi mirë

Agim Veliu, ministri i Punëve të Brendshme, ka komentuar deklaratën e Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i cili ka thënë se sa ishte kryeministër ai, Veliu i kishte shkuar me kërkesa për aksione që i thoshte vetëm me gojë dhe jo me shkrim.

Veliu në një prononcim për ,Klankosova e quajti Kurtin “mashtrues tipik” që siç tha ai “mashtron opinionin publik”.

“Kam shkuar dhe ia kam dërguar kërkesën. Çdo gjë do të thotë ka qenë e përgatitur mirë edhe është pritur vetëm një miratim i tij si kryeministër. Unë e kam njoftuar, por ai nuk ka pasë guxim që të lejojë autorizimin për të zhvilluar aksionin sikurse që u bë mbrëmë”.

I pyetur se pse Kurti thotë për të se nuk ka pasë guxim, ai tha se nuk e di për këtë dhe se duhet të pyetet i pari i LVV-së.

“Unë e kam vlerësuar atë si frikacak, ai vetëm manipulon me opinionin me teza populiste qysh e ka ai zakon. Ai u pa gjatë asaj periudhe sa ka qeverisë se nuk ka pasë guxim me asnjë punë konkrete vetëm me manipulime të këtij lloji”.

Kurti gjatë konferencës për media kishte thënë se krejt çka ka mundur Veliu t’i thoshte atij për aksionin ishte se atë e ka siguruar Miradie Kelmendi, kryeshefe e inspektoratit policor, se gjithçka do të shkonte në rregull.

“Pra as kjo nuk ishte me shkrim, as garancioni i Miradisë nuk ishte me shkrim, ishte gojarisht”, ka thënë Kurti.

Lexo po ashtu Kurti për aksionin policor në Karaçevë: Koka e krimit është në Prishtinë

I pari i MPB-së theksoi se kjo nuk qëndron dhe se Kurtin e ka siguruar për çdo gjë.

“Ajo nuk qëndron sepse unë e kam i siguruar, i kam dhënë siguri që çdo gjë është e planifikuar mirë, e përgatitur mirë dhe e koordinuar mirë edhe me faktorin tjetër të nevojshëm. Çdo gjë ka qenë e përgatitur për mrekulli sikurse mbrëmë që nuk ndodhi asnjë incident, edhe më i vogli”.

“Çdo gjë ka qenë e përgatitur dhe e kryer mirë. Mirëpo, tash ai gjen arsyetime se sigurisht i paska dhimtë që është kryer aksioni shumë mirë”.

Nënkryetari i LDK-së, për klankosova.tv e komentoi edhe deklaratën tjetër të Kurtit sipas së cilës “bishti i krimit është në Karaçevë dhe koka në Prishtinë”.

“Le t’ia fillojë ai në Prishtinë prej partisë së vet, ata që i ka kriminela që janë marrë me krime le t’i fillojë atje pastaj ne e ndjekim pasi qenka kështu”, tha ai.

Exit mobile version