Telegrafi

Veliu jep detaje për aksionin e Policisë në Karaçevë, paralajmëron aksione tjera

Foto: Ridvan Slivova

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e Policisë së Kosovës në Karaçevë të Kamenicës dhe në qytete tjera të Kosovës, ku u arrestuan 37 persona dhe ka paralajmëruar se ky aksion mund të vazhdojë gjatë ditëve në vijim.

Veliu bëri të ditur se në këtë operacion kanë marrë pjesë 317 zyrtarë policorë të njësive të ndryshme, ndërkaq tha se në lidhje me këtë rast hetimet ende po vazhdojnë.

“Në operacion kanë marrë pjesë 317 zyrtarë policor, nga njësi të ndryshme. Në lidhje me këtë rast hetimet vazhdojnë ende dhe mund të këtë vazhdim të aksionit edhe në ditët në vijim”, tha Veliu.

Lexo po ashtu Bixhoz ilegal, kontrabandim me njerëz, armë e narkotikë - policia arreston 33 persona në Karaçevë, 10 prej tyre policë

Ministri i Punëve të Brendshme, njoftoi se përveç zonës së kazinove në Karaçevë, operacioni është zhvilluar edhe në Prishtinë, Gjilan, Viti e Lipjan.

“Është implementuar plani operativ i cili është realizuar në tri lokacione të njëkohshme, në Karaçevë të Epërme, zona e kazinove, në disa lokalitete tjera të Kamenicës dhe po ashtu në Prishtinë, Gjilan, Viti dhe Lipjan”, tha ai.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, (Foto: Ridvan Slivova)

“Me këtë rast gjithsej janë arrestuar 37 persona, ku 30 janë ndaluar me vendim të prokurorit kompetent. Sot të 30 të ndaluarve u është caktuar masa e paraburgimit. Në zonën e Karaçevës është ushtruar urdhër kontrolli në 12 lokacione, ku janë sekuestruar rreth 220 aparate, 6 shtëpiza kompjuterike, një armë me gaz, një karikator dhe një kombi me kafshë të kontrabanduara”, tha Veliu.

Lexo po ashtu Caktohet masa e paraburgimit ndaj 30 personave të dyshuar për kontrabandë në Karaçevë

“Pas ekzaminimit të objekteve dhe tërheqjes së provave me ndihmën e Komunës së Kamenicës janë rrënuar 13 objekte”, tha Veliu.

Veliu njoftoi se në Prishtinë janë ndaluar tre persona.

“Gjatë kontrollit të shtëpive janë gjetur një set pokeri, katër parë letra bixhozi, dy fleta të formatit A4 shënime, një bllok shënime dhe një karikator i zbrazët”, njoftoi Veliu.

Në fshatrat e Kamenicës, në Gjilan, Viti e Lipjan, Veliu tha se janë kontrolluar gjithsej 28 lokacione. /Telegrafi/