Site icon Telegrafi

Veliaj publikon bisedën me prokurorin Dado para gjyqtarit, reagon SPAK: E pavërtetë!

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi të hënën se prokurori Olsi Dado e ka fyer rëndë në sy të gjyqtarit Erjon Bani.

Në reagimin e tij të radhës në rrjetet sociale, Veliaj, i cili po mbahet në burg me urdhër të SPAK, zbuloi procesverbalin e pretenduar të seancës për masën e sigurisë më 12 shkurt në GJKKO.

Por pas publikimit nga ana e Veliajt të procesverbalit, sikurse pretendoi ai, ka ardhur dhe reagimi i Gjykatës së Posaçme, e cila ka hedhur poshtë pretendimet e Kryebashkiakut.

Sipas GJKKO-së, pas verifikimit të materialit audio të seancës së 12 shkurtit, dhe procesverbalit të seancës gjyqësore, nuk rezulton të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment.

Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.

Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, thuhet në njoftimin e GJKKO.

Pas GJKKO-së ka reaguar edhe SPAK, duke deklaruar, sikurse edhe Gjykata e Posaçme, se në audion e seancën nuk përfshihen fjalët e përmendura nga Veliaj. Po ashtu, SPAK ka publikuar edhe një foto të procesverbalit, sipas së cilës prokurori Dado i drejtohet kryebashkiakut duke i thënë: “S’ke turp që thua banesa e prokurorit, ça është kjo, kërcënim është ky që tregon banesën e prokurorit?”.

Exit mobile version