Kryebashkiaku i sapo arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj është dërguar në paraburgim në Bllokun e Sigurisë që ndodhet pranë Komisariatit nr.3 të policisë, në rrugën “Mine Peza” në Tiranë.
Gazetarja e A2 CNN, Xhensila Kodra raporton se siç e njeh procedura për çdo qytetar që arrestohet, fillimisht duhet të shoqërohej në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, dhe pasi t’i komunikohej akuza dhe konfirmohej masa e sigurisë, më pas do të duhej të transportohej në Bllokun e Sigurisë.
Por, ndryshe ka ndodhur me kryebashkiakun e Tiranës. Teksa pritej ti komunikohej masa e sigurisë, A2 CNN duke ju referuar burimeve të sigurta nga agjentët e Policisë së Shtetit dhe BKH, bën me dije se Erion Veliaj është transportuar direkt në ambientet e Bllokut të Sigurisë.
Pas 48 orësh pritet që Veliaj të dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë. Sa i përket bashkëshortes së tij, A2 CNN mëson se Ajola Xoxës nuk i është komunikuar ende masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi nuk është gjetur aty. Të njëjta burime konfirmojnë se bashkëshortja e Veliajt ndodhet jashtë vendit. /Telegrafi/