Telegrafi

Vela: Vuçiqi t’i lirojë menjëherë policët e Kosovës

Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, ka reaguar pasi tre policët kosovarë u dërguan në paraburgim sipas vendimit që mori Gjykata në Kraljevë.

Vela në Twitter ka shkruar se Vuçiq duhet t’i lirojë menjëherë policët, transmeton Telegrafi.

“Mediat e regjimit të saj e kanë portretizuar gabimisht ‘sulmin terrorist’ si shkak të rrëmbimit të policëve të Kosovës. Tani, gjykata në Kraljevë i akuzon ata për armëmbajtje pa leje. Vuçiq duhet të lirojë menjëherë oficerët”, thotë ai.

Ndryshe, tre policëve të Kosovës të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë.

Sipas njoftimit, tre policët dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse. /Telegrafi/