Shefi i Zyrës së Presidencës, Blerim Vela, ka folur për debatin lidhur me statusin e presidentes Vjosa Osmani, e cila nuk kishte përmendur UÇK-në, në 22 vjetorin e Betejes së Kosharës.
Në një shkrim në Twitter, ai tha se Osmani çdo herë lartëson kontributin e UÇK-së dhe secilit luftëtar.
“Çdo ditë dhe me secilin veprim, presidentja lartëson Kosovën e idealeve të luftëtarëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kontributi dhe sakrifica e secilit luftëtar dhe dëshmorë kujtohet me pietet, pasi që Kosova dhe UÇK janë një”, shkroi Vela.
Çdo ditë dhe me secilin veprim, Presidentja @VjosaOsmaniPRKS lartëson Kosovën e idealeve të luftëtarëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kontributi dhe sakrifica e secilit luftëtar dhe dëshmorë kujtohet me pietet, pasi që #Kosova dhe #UÇK janë një!
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) April 9, 2021
Reagimi i Velës erdhi pasi deputetja e PDK-së Eliza Hoxha tha se Osmani nuk e përmendë asnjëherë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Po ashtu edhe ish-ambasadorja në SHBA, Vlora Çitaku, tha se nëse nuk do të kishte UÇK, s’do të kishte as FSK.
“Pa UÇK nuk do të kishte FSK! E paçim, e u krenohshim”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Analisti Imer Mushkolaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Mushkolaj ka thënë se vetëm Vjosa Osmani mund të shkruajë për betejën e Koshares pa e përmend Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).