Site icon Telegrafi

Vegjetarianët kanë dyfish më shumë gjasa të kenë episode depresioni në krahasim me njerëzit që hanë mish

(Foto: Nature’s Path/ADDitude)

Hulumtimi i fundit ka treguar se njerëzit që nuk konsumojnë mish kanë dy herë më shumë gjasa të kenë episode depresioni sesa ata që konsumojnë – transmeton Healthline.

Vegjetarianizmi përkufizohet në mënyra të ndryshme, me disa njerëz që konsumojnë qumësht dhe/ose vezë dhe të tjerët jo. Veganët, për shembull, nuk hanë fare produkte shtazore, madje as mjaltë. Megjithatë, filli i përbashkët për të gjithë është shmangia e mishit.

Një studim i botuar në Journal of Affective Disorders shqyrtoi lidhjen midis vegjetarianizmit dhe depresionit te të rriturit dhe zbuloi disa të dhëna interesante.

Hulumtimi përfshiu 14.216 njerëz në Brazil nga mosha 35 deri në 74 vjeç. Duke theksuar se është i pavarur nga faktorët socio-ekonomikë, si dhe nga faktorët e stilit të jetesës (si duhani, alkooli, niveli i aktivitetit fizik dhe indeksi i masës trupore – BMI), shkencëtarët shikuan lidhjen midis një diete me bazë bimore dhe shëndetit mendor.

Ata zbuluan se një dietë pa mish në të vërtetë shkaktonte që njerëzit të përjetonin episode depresive dy herë më shpesh sesa ata që hanë mish.

(Foto: Healthline)

Autorët e studimit shkruajnë se “mangësitë e lëndëve ushqyese nuk e shpjegojnë këtë lidhje”, por disa ekspertë kanë qëndrim tjetër.

Lëndët ushqyese që gjenden te mishi i viçit, për shembull, duke përfshirë hekurin, vitaminat B, zinkun dhe proteinat – ndihmojnë funksionimin e trurit dhe mund të jenë të vlefshëm në parandalimin e episodeve depresive.

Vitaminat dhe mineralet që shkaktojnë shqetësim kur bëhet fjalë për depresionin janë vitaminat B, zinku, magnezi dhe seleni.

Vitamina B12 gjendet veçanërisht vetëm në produktet shtazore, por së bashku me vitaminat e tjera të kompleksit B, ajo ndikon në rregullimin e disponimit dhe funksionin e trurit.

Zinku mund të luajë një rol në rrugët endokrine që mund të çojnë në rritjen e niveleve të kortizolit dhe rregullimin e neurotransmetimit si një mekanizëm potencial veprimi, prandaj është shumë i rëndësishëm për trupin tonë. Megjithëse zinku gjendet kryesisht në mishin e kuq dhe në disa ushqime deti, ai mund të gjendet edhe në arrat, drithërat, drithërat e fortifikuara dhe produktet e qumështit.

(Foto: MedicineNet)

Magnezi është përgjegjës për aktivizimin e më shumë se 300 sistemeve enzimatike që luajnë një rol të rëndësishëm në funksionimin e trurit. Ky mineral i rëndësishëm gjendet kryesisht në ushqimet me bazë bimore, duke përfshirë zarzavatet me gjethe, bishtajoret, arrat, farat dhe drithërat.

Së fundi, mungesa e selenit mund të shkaktojë mosfunksionim të tiroides, inflamacion, stres oksidativ dhe çrregullim të rregullatorëve të rëndësishëm të disponimit si serotonina, dopamina dhe noradrenalina. Seleni gjendet kryesisht në ushqimet e detit, shpendët, mishin, vezët dhe peshkun, por mund të gjendet edhe në bukë dhe drithëra.

Kur dyshoni për të ushqyerit, gjëja më e rëndësishme është të konsultoheni me një ekspert në këtë çështje, në këtë rast një dietolog të regjistruar, i cili mund t’ju ndihmojë të planifikoni një dietë të ekuilibruar mirë. /Telegrafi/

Exit mobile version