Telegrafi

Vdes një i ri 37 vjeçar në Pejë, nga COVID-19

Një i ri 37 vjeçar nga Peja ka ndërruar jetë nga virusi COVID-19, kështu bëhet e ditur në raportin 24 orësh të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK).

Ndërkaq, IKSHPK njofton gjithashtu se janë raportuar edhe 7 raste të tjera të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 4 raste (81, 77, 65, 78 vjeç), Klinë 1 rast (64 vjeç), Pejë 1 rast (37 vjeç), Prizren 1 rast (77 vjeç), Suharekë 1 rast (87 vjeç)”, thuhet në raport.

Numri total i rasteve pozitive është 70.185 raste nga 313.132 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.616 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 270 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 60.333 raste, kurse numri i rasteve aktive është 8.236.

Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 285 raste, Gjilan 47 raste, Fushë-Kosovë 35 raste, Gjakovë 20 raste, Pejë 17 raste, Kamenicë 11 raste, Lipjan 11 raste, Prizren 11 raste, Deçan 6 raste, Drenas 6 raste, Suharekë 5 raste, Malishevë 4 raste, Rahovec 4 raste, Viti 4 raste, Ferizaj 3 raste, Klinë 3 raste, Skenderaj 3 raste, Istog 2 raste, Kaçanik 2 raste, Mitrovicë 2 raste, Novobërdë 2 raste, Obiliq 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Podujevë dhe Vushtrri.

“Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 488 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm Në Prishtinë janë raportuar 285 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 8 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Sipas Institutit, numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Instituti vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. /Telegrafi/