Telegrafi

Vdes një foshnje në Spitalin e Prizrenit, arrestohen tre mjekë 

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person ka raportuar se foshnja e tij ka vdekur disa minuta pasi është lindur dhe ai dyshon se kjo ka ardhur si pasojë e mostrajtimit të duhur nga stafi mjekësor.

Kështu thuhet në raportin policor, ndërkaq bëhet e ditur se janë arrestuar tre mjekë.

“Spitali i Prizrenit 27.06.2023 – 03:50. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se pas lindjes së gruas së tij viktimës femër kosovare, pas disa minutave foshnja ka vdekur dhe ai dyshon se kjo ka ardhur si pasojë e mos trajtimit të duhur nga stafi mjekësor”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë (mjekë) dhe janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/