Një femër ka vdekur sot rreth orës 20:00 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e cila dyshohet se është qëlluar me armë zjarri.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 20:00, kemi pranuar informatën se ekipi mjekësor në QKUK, ka konstatuar vdekjen e një personi (femer). Viktima sipas të dhënave fillestare, dyshohet se kishte marrë plagë nga arma e zjarrit”, ka thënë ajo.
Sipas saj hetuesit policor kanë nisur një hetim.
“Aktualisht hetuesit policor, kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka theksuar ajo.
Ndryshe, burime të telegrafit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në fshatin Besi, kurse viktima është një vajzë 22-vjeçare. me inicialet B.O. Nuk dihet se kush mund të jetë dorasi, as motivet e kësaj vrasjeje. /Telegrafi/