Site icon Telegrafi

Vdes edhe një person me COVID-19 në Kosovë, ishte oficer doganor

Pacienti në gjendje të rëndë me COVID-19, i cili ishte duke u trajtuar në repartin Intensiv të Klinikës Infektive në QKUK, sot ka ndërruar jetë.

Viktima e 19-të në Kosovë nga COVID-19, ishte oficer doganor, në Doganën e Kosovës.

Lajmin për vdekjen e 53-vjeçarit nga Prizreni e kanë bërë të ditur përmes një komunikate për medie nga Ministria e Shëndetësisë.

“Klinika Infektive njofton se, sot në orët e pasdites, në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka përfunduar me vdekje pacienti K. Q. (1967) nga Komuna e Prizrenit. Pacienti ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtine më 13.04.2020 dhe që nga fillimi ka qenë në gjendje shumë të rënde dhe në përkujdesje intensive”, thuhet në komunikatë.

I infektuari kishte pasur komplikime gjatë trajtimit në Klinikën Infektive.

“Tek i sëmuri, gjatë ecurisë së sëmundjes janë zhvilluar ndërlikime si pasojë e COVID-19, të cilat edhe përkundër të trajtimit intensiv, pamundësuan që pacienti t’i mbijetoi sëmundjes. Kjo është vdekja e katërmbëdhjetë nga COVID-19 në Klinikën Infektive të QKUK-së dhe e 19-ta në nivel shteti”, thuhet tutje në komunikatë.

Dogana e Kosovës, ka bërë të ditur se ishte oficer doganor që nga viti 2000.

“Prishtinë 23 prill 2020 sot në klinikën infektive ka ndërruar jetë oficeri doganor i cili ishte i

infektuar me COVID 19. Kjo është një humbje e madhe për Doganën pasi i ndjeri ishte një ndër oficeret doganor të parë i rekrutuar që nga viti 2000, i cili ka dhëne kontribut të çmuar në ndërtimin e Dogana duke shërbyer me profesionalizëm në shumë njësi të cilat edhe i themelojë dhe funksionalizojë. Së fundi i ndjeri ishte udhëheqës i pikë kalimit kufitar të Vërmicës”, thuhet në komunikatë.

Dogana ka shprehur ngushëllime për familjarët e të ndjerit.

“Dogana e Kosovës shpreh ngushëllimet e saj më të thella dhe sinqerta për familjaret, miqtë dhe të gjithë të afërmit e të ndjerit. Dogana do të vazhdoj të punojë me përkushtim në zbatimin e te gjitha obligimeve ligjore dhe sfidave, përkundër vështirësive dhe rreziqeve”, thuhet në komunikatë. /Tellegrafi/

 

Exit mobile version