Telegrafi

Vdes aksidentalisht 8-vjeçari në Has, bie nga traktori që drejtohej nga një fëmijë 11-vjeçar

Foto: Ilustrim

Një 8-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht pasditen e kësaj të shtune në fshatin Romajë të Hasit, pasi ka rënë nga traktori, të cilin po e drejtonte një fëmijë tjetër i moshës 11-vjeçare.

Ngjarjen tragjike e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Bytyqi ka thënë se fëmija ka ndërruar jetë pasi është goditur nga frezat e traktorit. Siç  bëri të ditur ai, dy të miturit ishin duke punuar arën në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik.

“Në fshatin Romajë, sot  rreth orës 17:30, një fëmijë ka ndërruar jetë aksidentalisht pasi ka rënë nga traktori të cilin po e drejtonte një fëmijë tjetër i moshës 11-vjeçare. Rasti ka ndodhur kur ata ishin duke e punuar arën, ndërkohë aksidentalisht fëmija 8-vjeç ka rënë nga traktori dhe ka marrë lëndime vdekjeprurëse nga frezat e traktorit”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka bërë të ditur se rasti do të trajtohet konform ligjit. /Telegrafi/