Klinika Infektive e Qendres Klinike dhe Universitare e Kosovës ka njoftuar se sot ka ndërruar jetë një 72-vjeçar nga komuna e Vushtrrisë, i cili ishte i infektuar COVID-19.
“Ju njoftojmë se sot me 23.06.2020 pacienti S.K. i lindur më 08.09.1948 me vendbanim në Fshatin Reznik-Vushtrri ka përfunduar me Exitus letalis në ora 10:30”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.
“Pacienti sillet në ambulancën e pranimit të Klinikes Infektive nga ana e familjarëve pa vetëdije dhe pa shenja jete. Reanimohet në ambulancën e pranimit, intubohet nga ana e Anesteziologut. Familjarët nuk japin të dhëna për faktorë rreziku. Pacienti i diagnostikur me COVID-19 në terren. Është marrë edhe një mostër post-mortem për SARS-CoV-2”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Vdekjen e qytetarit nga Vushtrria e ka konfirmuar edhe kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, i cili ka thënë se sot kanë humbur bashkëqytetarin e katërt nga pandemia Covid 19.
“Shtabi Emergjent Komunal ka asistuar familjen e të ndjerit gjatë ceremonisë së varrimit e cila është kryer sot në ora 14:00h. I shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të ndjerit”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Në klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sot me 23.06.2020, janë të hospitalizuar 104 raste. Të sëmurë me Covid- 19 janë gjithsej 101 raste.
Prej tyre, 51 raste janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, 6 raste jane duke u trajtuar ne repartin e Mjekimit Intensiv, 5 prej tyre janë në gjendje kritike.
Sot nga klinika lirohen 2 raste te shëruara nga infeksioni me Covid-19 si dhe lirohet 1 rast pozitiv në gjendje stabile për vetizolim në shtëpi.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars dhe deri më tani, janë regjistruar 2.216 raste me COVID-19, prej të cilëve 1069 janë shëruar ndërsa 38 kanë vdekur. /Telegrafi/