Site icon Telegrafi

Vdekjet në QKUK: Të dyshuarit i caktohet një muaj paraburgim, prokuroria vazhdon hetimet

Janë bërë një muaj që kur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në rrethana ende të dyshimta humbën jetën tre pacientë. Që nga 7 shtatori, kur edhe ndodhi ky rast, organet e hetuesisë kanë nisur hetimet në disa pista.

Nga hetimet e para që janë kryer, si shkaktar i vdekjes së tre pacientëve dyshohet të jetë gazi oksidul (N20), i prodhuar pa licencë në Kosovë, me të cilin furnizohej QKUK-ja nga kompania “Bubeari Komerc” nga Kaçaniku.

Lidhur me këtë rast, një person është ndaluar dhe i njëjti gjendet në paraburgim. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu.

“Lidhur me këtë rast Prokuroria ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve më 06.10.2017 ndaj të pandehurit me inicialet N.G në drejtim të veprës penale të Prodhimit dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore nga neni 266 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 5, 2 dhe1 të KPRK-së. I njëjti është arrestuar dhe gjendet në paraburgim”, ka thënë Lutfiu.

Ai ka shtuar se pasi të kryhen të gjitha analizat nga mjekësia ligjore dhe pasi prokuroria të siguron një ekspertizë të pavarur lidhur me prejardhjen dhe kualitetin e gazit që është përdorur në QKUK, si dhe pasi të merren të gjitha veprimet tjera hetimore që parashihen me ligj do të dilet me një qëndrim zyrtarë lidhur me shkaktarin e vdekjeve të dyshimta në QKUK.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ditë më parë ka thënë se janë duke punuar që të zbardhen shkaqet e vdekjeve të dyshimta në QKUK. Ai madje ka bërë me dije se deri të zbardhen këto vdekje nuk do të ketë qetësi.

Ndërkaq sot, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.G për veprën penale Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore, nga Neni 266 par.6, lidhur me par. 5.1 dhe 2 të KPK-së.

Të pandehurit N.G i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga data 05.10.2017 deri me datë 05.11.2017.

Kujtojmë se puna në Klinikat e QKUK-së, ku ndodhën këto tri vdekje të dyshimta, i është kthyer normalitetit. /Telegrafi/

Exit mobile version