Site icon Telegrafi

Vdekja enigmatike e 53-vjeçarit në liqenin e Livoçit, familja thotë se ai s’ka pasur probleme me askënd

Prokuroria e Gjilanit ende nuk ka arritur të ndriçojë rrethanat e vdekjes së një gjilanasi. 53-vjeçari E.Sh. është nxjerrë sot i vdekur nga ujërat e liqenit të Livoçit.

Kërkimet për trupin e të ndjerit kishin filluar mbrëmë por ishin ndërprerë për shkak të motit të ligë.

Operacioni kishte rinisur sot në mëngjes.

Trupin e pajetë e kanë nxjerrë zhytësit e FSK-së, të cilët për të arritur deri te vendi ku gjendej viktima janë detyruar ta thyejnë akullin.

Në lidhje me rastin, Kallxo.com ka kontaktuar zëdhënësen e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini.

Zëdhënësja tha se rasti vazhdon të cilësohet si vdekje e dyshimtë.

Xheladini theksoi se nuk kanë arritur të marrin informata rreth shkaqeve të këtij rasti tragjik.

“Rasti në fjalë, nga prokurori kujdestar fillimisht është cilësuar si ‘vdekje e dyshimtë’. Trupi i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Gjithashtu, sipas familjarëve, nuk dyshohet që i ndjeri të ketë pasur ndonjë problem me dikë dhe nuk e dinë motivin”, tha Xheladini.

Lexo po ashtu FSK publikon pamjet e operacionit të nxjerrjes së viktimës nga liqeni i Livoçit (Foto)

Në anën tjetër, portali ka raportuar mëngjesin e sotëm se mbrëmjen e kaluar, Policia e Rajonit të Gjilanit kishte marrë një informatë se një veturë e hapur ishte gjetur afër liqenit të Livoçit.

Lexo po ashtu Nxirret një trup i pajetë nga Liqeni i Livoqit, dyshohet se është i një 53-vjeçari nga Gjilani

“Policia e Kosovës me urgjencë ka dalë në vendin e ngjarjes. Nga indicjet e para ka pasur dyshime se personi mund të ketë rënë në liqe. Janë thirrë njësitet e hetimeve rajonale, bashkë me prokurorin e shtetit, si dhe njësitet e kërkim-shpëtimit të FSK-së. Për shkak të kushteve jo të përshtatshme, errësirës së thellë, janë ndërprerë kërkimet, për të filluar sot nga orët e hershme të mëngjesit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë Ismet Hashani.

Disa media sot kanë bërë publik edhe identitetin e viktimës.

Sipas tyre ai është Ekrem Shkodra nga lagja Gavran e  Gjilanit.

Exit mobile version