Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur keqardhjen e thellë për humbjen tragjike të jetëve të tre fëmijëve, si pasojë e shembjes së një shtëpie të vjetër e të braktisur në Jabllanicë të Gjakovës.
Qelaj ka bërë thirrje për hetime të menjëhershme dhe masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“I bëjmë thirrje autoriteteve të hetojnë me urgjencë shkaqet e kësaj fatkeqësie dhe të marrin masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit,” ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e parandalimit të ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
“Është e domosdoshme që të punohet në parandalimin e tragjedive të tilla, që të mos përsëriten. Siguria e qytetarëve, dhe sidomos e fëmijëve, duhet të jetë prioritet absolut,” ka shtuar Avokati i Popullit.
Në fund, ai ka shprehur solidaritetin e tij me familjet e viktimave, duke thënë: “Në këtë moment dhimbjeje, solidarizohemi me familjet e viktimave dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”. /Telegrafi/