Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e pikëlluar për ndarjen nga jeta të ish-ambasadores së SHBA-së në Kosovë, Tina Kaidanow.
Osmani, përmes një postimi në platformën “X”, tha se Tina Kaidanow ishte një udhëheqëse e guximshme dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në shumë ngjarje kritike dhe historike para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës
“Me pikëllim të thellë mësuam për ndarjen nga jeta të ambasadores Tina Kaidanow, ambasadores së parë të SHBA-së në Republikën e pavarur të Kosovës dhe një mbështetëse e paepur e vendit tone”, ka shkruar Osmani, transmeton Telegrafi.
Osmani tha se “Tina ishte një lidere sypatrembur dhe e guximshme që luajti një rol të thellë në shumë ngjarje kritike dhe historike, para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kam pasur nderin të punoj ngushtë me të dhe kam mësuar shumë nga mençuria dhe përkushtimi i saj”.
“Mendimet dhe ngushëllimet tona të përzemërta shkojnë për familjen, miqtë dhe kolegët e saj ndërsa ne të gjithë vajtojmë humbjen e saj”, ka shkruar Osmani.
We are deeply saddened to learn of the passing of Ambassador Tina Kaidanow, the first U.S. Ambassador to the independent Republic of Kosovo and an outstanding supporter of our country.
Tina was a bold and courageous leader who played a profound role in many critical and historic… pic.twitter.com/9TcAEDVPne
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) October 16, 2024
Kaidanow shërbeu në një sërë pozicionesh të larta në Departamentin e Shtetit dhe atë të Mbrojtjes, duke luajtur një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Ishte e njohur për punën e saj si ambasadore e SHBA-së në Kosovë nga viti 2008 deri në 2009, ku shërbeu si ambasadorja e parë amerikane pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Më pas vazhdoi të ngjitej në hierarkinë diplomatike, duke u emëruar Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Politiko-Ushtarake në vitin 2016./Telegrafi/