Nga: Dashnor Kokonozi
Eseja e Roland Barthesit [Vdekja e autorit]që mban këtë titull është interpretuar shumë. Në Shqipëri edhe është keqinterpretuar. Dikur Kadareja, nisur edhe nga disa sensibilitete politike të autorit, e paraqiti pak a shumë si një ide kineze që synonte zhdukjen mirëfilli të autorit dhe letërsinë do ta bënte populli etj.
Ideja a Barthesit ka qenë diçka tjetër.
Përkundër praktikës së kritikës tradicionale që analizon një vepër nisur nga qëllimi dhe biografia e vetë autorit për të shpjeguar “sense ultime” të një teksti letrar, Barthesi i jep përparësi interpretimit të veprës nga secili lexues i veçantë, si një mundësi për të kapur kuptimin “definitiv” që ka synuar autori, një proces ky që jep mundësi që karakteristikat subtile që kanë kaluar pa vërejtur, mund të përdoren për një vështrim tjetër të veprës.
Por, qëllimi i këtij shkrimi është gjetiu. Te zhdukja e vërtetë e autorit, pak a shumë ashtu siç iu duk Kadaresë.
Se duke u marr me librat e mi në Amazon, Kindle, vërej se jo larg vetes kam si fqinj libra të tjerë të shkruara nga çatboti i OpenAI. Pra, nga inteligjenca artificiale.
Dhe, janë mbi 200 libra të tillë që shiten pak a shumë me sukses dhe që shtohen çdo ditë.
Ka mes tyre romane, manuale teknikë, libra për fëmijë etj.
ChatGPT është përgjithësisht autor, por në ndonjë rast del edhe si bashkautor.
Kjo më solli edhe një herë te gabimi i Kadaresë.
Me këtë rast, kështu si erdhën punët, duket pranuar se Kadareja edhe kur gabon ka të drejtë.
Autori duket të jetë një specie në zhdukje e sipër!
Po sikur, pas atyre çmimeve të përfolura (shpesh me të drejtë) shqiptare që jepen nga institucione shtetërore e private, çmimi i ardhshëm t’i jepet ndonjë krijimi të ChatGPT-së?
Ka të ngjarë që të jetë çmimi i drejtë!