Site icon Telegrafi

Vdekja e Adelës, nuk ka elemente të dyshimta!?

Vdekja e parakohshme dhe e papritur e gazetares Adelajda Xhamani është klasifikuar nga Policia si vdekje për shkaqe natyrore.

Mjekët ligjorë, që bënë autopsinë mëngjesin e së dielës, paraprakisht dyshojnë për një arrest kardiak.

Ndonëse raporti përfundimtar i mjekëve ligjorë pritet të dalë brenda dy javësh, nga analizat paraprake, nuk rezulton të jenë gjetur elementë të huaj në organizëm, që mund të kenë shkaktuar vdekjen e saj. Megjithatë, nisur nga fakti se ajo ishte shumë e re, vetëm 31 vjeç, rasti është diskutuar gjerësisht në mediat online, ku janë ngritur edhe hipoteza e dyshime rreth vdekjes së Adelës.

Adela ndërroi jetë mëngjesin e të dielës (Instagram)

Dyshimet u shtuan edhe më shumë dje, nga komentimi i një komunikate paraprake të Policisë, ku thuhej se, “dyshohet se vuante nga epilepsia”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth vdekjes së Adelajda Xhamanit

Megjithatë, në të njëjtën komunikatë, Policia e Tiranës thekson se po punohet për përcaktimin e shkakut të vdekjes, shkak që përcaktohet vetëm nga mjekët ligjorë. Nga një keqinterpretim i njoftimit të Policisë, që është diçka formale dhe procedurë standarde në raste të tilla, shumë e quajtën të nxituar komunikatën, duke këmbëngulur se epilepsia nuk është vdekjeprurëse.

Në fakt, as Policia nuk tha këtë, por nga deklarimi që i ishte marrë shoqes së Adelës, e cila kishte shprehur dyshime për një sëmundje të tillë, paçka se nuk ishte diagnostikuar, është përmendur procedurialisht si një sëmundje e mundshme që ajo mund të kishte.

Përmendja e kësaj sëmundjeje, solli edhe reagimin e mjekëve. Një prej mjekeve të QSUT, duke përjashtuar kategorikisht epilepsinë, hodhi edhe dyshime se dikush tjetër mund të ishte shkaktar.

Burime nga grupi hetimor thanë se nga këqyrja e kufomës, nuk janë konstatuar shenja dhune. Po ashtu, nga këqyrja e banesës nuk është konstatuar asgjë e dyshimtë, që mund të ngrinte ndonjë pistë tjetër, veç asaj të vdekjes për shkaqe natyrore. /Panorama/

Exit mobile version