Një grua e moshës 67-vjeçare ka ndërruar jetë pasi dyshohet se një person tjetër pas një aksidenti në trafik mes dy veturave mbrëmjen e së enjten në Suharekë, ka dal nga vetura dhe e ka shtyrë viktimën.
Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Tutje ai tha se policia fillimisht e ka cilësuar rastin si aksident trafiku, por më pas është dyshuar 67-vjeçarja është shtyrë, me pasojë vdekjen.
“Suharekë 29.06.2023-21:54. Raportohet për një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshirë dy automjete. Policia fillimisht e ka raportuar rastin si aksident trafiku, por dyshohet që pas aksidentit të trafikut palët kanë dal nga automjetet e tyre dhe në fjalosje e sipër i dyshimti e ka shtyrë një grua e moshës 67 vjeçare. Dyshohet që për shkak të kësaj shtyrje gruaja 67 vjeçare ka rënë dhe është lënduar me pasojë vdekjen e saj”, ka thënë Bytyqi.
Po ashtu Bytyqi u shpreh se këto janë vetëm dyshimet e para.
“Është më rëndësi të ceket që nga shikimi i parë nuk vërehet ndonjë lëndim, por pas raportit nga obduksioni i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) mund të vërtetohet se si ka ardh deri tek vdekja e saj”, ka thënë Bytyqi.
Po ashtu zëdhënësi i Policisë në Prizren tha se prokurori ka dal në vendngjarje dhe ka vendosur që të hapet rasti “Vdekje nga pakujdesi”.
“Lidhur me rastin e lartcekur është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person i dyshuar mashkull kosovar, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti në procedurë hetimore”. /Telegrafi/