Një 34-vjeçare dyshohet se i ka dhënë fund jetës së saj në një hotel në Graçanicë, ditën e enjte.
Sipas informacioneve të policisë, viktima dyshohet se është hedhur nga kati i dytë i hotelit, rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Nga Prokuroria e Prishtinës thonë se janë në pritje të raportit të autopsisë.
“Ju njoftojmë se Prokuroria e Prishtinës është në pritje të raportit të autopsisë dhe të gjeturave nga hetimet e ndërmarra, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera nga ky rast”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Ajo gjithashtu njoftoi se rasti është iniciuar “hetim mbi vdekjen” dhe po vazhdon të hetohet në koordinim me policinë.
Policia më herët njoftoi se ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.
“Njësitet policore pasi kanë pranuar informatën se një person dyshohet se ka rënë nga kati i dytë i një hoteli, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur viktimën femër e cila dyshohej pa shenja jete, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e saj”, thuhej në njoftimin e policisë.
Ndryshe, raportohet se viktima ka qenë e shoqëruar nga një person në hotel.
Viktima A. Kameri, 34 vjeç ka qenë pronare e një biznesi për rregullimin e thonjve.
Në profilin e saj në Facebook, më 10 nëntor, ajo kishte shpërndarë një intervistë që e kishte dhënë për RTK-në, pasi kishte fituar çmimin e katërt në kampionatin botëror të estetikës që ishte mbajtur në Napoli të Italisë.
Në këtë intervistë ajo ka thënë se po në këtë kampionat e kishte fituar çmimin e parë kur ishte mbajtur në Tiranë./Telegrafi/