Telegrafi

Vdekja e 18-vjeçarit në vendin e punës në Prizren, arrestohen gjashtë menaxherë të kompanive

Foto: Ilustrim

Gjashtë persona janë arrestuar si të dyshuar për rastin ku një 18-vjeçar ka vdekur në vendin e tij të punës në Prizren.

Zëdhënësi në Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për Telegrafin se të dyshuarit janë menaxherë të dy kompanive, të cilët ishin përgjegjës për sigurimin e punimeve dhe vendit të punës.

Lexo po ashtu I bien qeramikat në kokë, vdes një punëtor në Prizren

Bytyqi tutje ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Me datë 5 tetor, Policia ka arrestuar gjashtë menaxherë të dy kompanive të cilët kanë qenë përgjegjës për punimet dhe sigurimin e vendit të punës. Të njëjtit pas intervistimit dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, 18-vjeçari ka vdekur më 30 shtator pasi në vendin e punës i ka rënë në kokë një pako me qeramika.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili ka thënë se viktima ka vdekur në QKUK si pasojë e plagëve të marra.

“Sipas hetimeve të para thuhet se nga ballkoni i katit të dytë i ka rënë një pako me qeramika në kokë. Personi ka vdekur në QKUK për shkak të plagëve të marra në vendin e punës. Rasti ka ndodhur rreth orës 09:22 në rrugën ‘Brigada 125’ në Prizren”, ka deklaruar Gashi. /Telegrafi/