Tragjedia e 39 emigrantëve të gjetur të vdekur brenda një kamioni frigorifer, dy ditë më parë, nuk i ka stepur tentativat e shqiptarëve për të hyrë ilegalisht në Angli.
Top-Channel, duke iu referuar mediave britanike, raporton se autoritet e portit të Kentit ndaluan pasditen e së shtunës 5 shqiptarë të fshehur në një kamion.
Të pestë personat e kapur e identifikuan veten e tyre si shtetas shqiptarë.
Ata iu dorëzuan autoriteteve të ministrisë së Brendshme për t’u marrë në pyetje sipas rregullave të emigracionit.
Ndërkohë 9 emigrantë të tjerë ilegalë u gjetën në brendësi të një kamioni në autostradën M20. Deri në momentin e dorëzimit të tyre autoriteteve të emigracionit, autostrada qëndroi e mbyllur për 4 orë.
Prej vitit 1998 e deri më sot në Belgjikë, Francë e Holandë operojnë rrjete të trafikimi të mirëoganizuara të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe.
Me shtrëngimin e kontrollove në portet angleze, për një person të fshehur në kamion çmimi varion nga 10 deri në 13 mijë funte.
Disa prej personave që mund t’ia dalin të hyjnë në Angli, sipas medias britanike, në mënyrë që të lajnë sa më shpejt këtë shumë të madhe parash të paguar trafikantëve, përfshihen në operacionet e kultivimit të kanabisit nëpër shtëpi të marrë me qira.
Ndërkohë shumë prej tyre që shkojnë në Angli për çështje ekonomike, bëjnë punë të ndryshme ndershmërisht, kryesisht në ndërtim.