Telegrafi

Vazhdon vaksinimi kundër gripit sezonal në QKMF-Prishtinë, deri tani janë dhënë 1,500 vaksina

Edhe pse të martën u raportua se ishte ndërprerë dhënia e vaksinës kundër gripit sezonal në Qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, për shkak të mos mbajtjes së radhës nga qytetarët si dhe distancës, sot dhënia e vaksinave është duke vazhduar në mënyrë të rregullt.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, kryeshefi i QKMF-së, Sami Uka i cili shtoi se qytetarët janë duke e mbajtur distancën dhe radhën në mënyrë të duhur.

Uka po ashtu shtoi se vetëm të mërkurën Policia e Kosovës e ka mbajtur rendin, ndërsa sot nuk ka pasur nevojë për ta.

Lexo po ashtu Ndërpritet për sot vaksinimi kundër gripit sezonal në QKMF-Prishtinë, shkak mosmbajtja e distancës

“Shumë mirë janë duke shkuar, as nuk ka tollovi e as radhë të pritjeve të gjatë. Dje e ka mbajt policia rendin e sot s’ka pasur nevojë për të mbajtur”, tha ai.

Tutje Uka theksoi se deri më sot janë dhënë rreth 1.500 vaksina kundër gripit sezonal.

“Rreth 1500 vaksina janë dhënë deri më sot. Kryesisht të moshuarit mbi 65 vjeç janë të interesuar për të marrë vaksinën. Edhe punëtorët shëndetësorë janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme”, ka thënë ndër të tjera, Sami Uka. /Telegrafi/