Përpjekjet nga administrata presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të frenuar shitjen e aksioneve me kosto të ulët nga tregjet deri tani ka dështuar, pasi në vigjilje të Krishtlindjeve u regjistrua një rënie e mëtejshme e treguesve në bursë.
Dow Jones mbylli javën më negative, që prej krizës së vitit 2008, ndërsa Nasdaq ka hyrë zyrtarisht në një trend rënës, për shkak se ka rënë me mbi 20 për qind në një periudhë të shkurtër.
Madje me një lëvizje që i habiti vëzhguesit e tregjeve, sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin telefonoi personalisht krerët e gjashtë bankave më të mëdha të vendit, në dukje për t’i garantuar mbi likuiditetin, ndonëse nuk ka asnjë detaj mbi këtë çështje.
Telefonata e tij erdhi pas javës më të keqe për tregjet amerikane që prej vitit 2008 dhe pas një bllokimi të pjesshëm të qeverisë federale që erdhi nga kërkesa e Trumpit për të financuar murin në kufirin me Meksikën, si dhe raportimeve se presidenti ka biseduar për largimin e kreut të Rezervës Federale, përcjell Telegrafi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, fajësoi Rezervën Federale, duke e përshkruar si problemin e vetëm për ekonominë amerikane, ndërkohë që zyrtarët kryesore janë mbledhur për të diskutuar trazirat në bursa që janë shkaktuar pjesërisht nga sulmet e presidentit ndaj bankës qendrore.
Në një postim në Twitter, që dështoi të zbusë shqetësimet e tregjeve, presidenti republikan fajësoi Bankën Qendrore për trazirat ekonomike.
“I vetmi problem që ka ekonomia jonë është Rezerva Federale. Ata nuk e kuptojnë tregun, nuk kuptojnë luftën tregtare apo dollarin e fortë madje edhe mbylljet demokrate të qeverisë për kufirin”, shkroi Trump në Twitter. /Telegrafi/