Aksionet e Facebook-ut ranë pikiatë në bursa, duke i shkaktuar kompanisë amerikane dëme të mëdha.
Firmës iu dogjën praktikisht më shumë se 150 miliardë dollarë në vlerë tregu. Rënia tërhoqi me vete edhe indeksin NASDAQ, që humbi gati 1 për qind. Problemet erdhën si pasojë e bilancit të tremujorit të gjigantit që i trembi investitorët me ngadalësimin e të ardhurave dhe rritjen e shpenzimeve.
Mesa duket, pasojat e skandaleve të “Cambridge Analitica” dhe “Russiagate” po ndihen tani më fort se përpara. Facebook-u ende përballet me kritika mbi mënyrën se si ka menaxhuar përhapjen e lajmeve të rreme dhe përdorimin e të dhënave, përcjell Telegrafi.
Kompania sqaroi investitorët se pritet t’i shtojë shpenzimet me 50 për qind apo edhe më shumë ndërsa përpiqet të sjellë disa përmirësime në nivel monitorimi të përmbajtjes dhe ato që lidhen me informacionet personale të përdoruesve. /Telegrafi/