Policia e Kosovës njofton se edhe këtë të premte ka vazhduar realizimin e planit operativ ‘Mjegulla’. Një ditë më parë ishte arrestuar një person i dyshuar dhe ishin konfiskuar rreth 40 kilogram lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.
Kurse, këtë të premte rreth orës 09:30 ka vazhduar kontrollet në një depo dhe objekte tjera përcjellëse në Gjakovë.
Gjatë kontrollit bëhet e ditur se janë gjetur edhe rreth 6 kilogram e 383 gram substancë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë.
“Kurse në dy lokacione tjera në Prishtinë e Podujevë janë gjetur e konfiskuar edhe: 88 gram substancë narkotike, dyshohet të jetë kokainë, dy shishe qelqi me vaj kanabisi, një revole dhe 24 fishekë dhe dëshmi tjera relevante për rastin”, thuhet në komunikatën për media.
Policia ka arrestuar të dyshuarin B.B., (viti i lindjes 1983, mashkull kosovar), kurse një i dyshuar tjetër (i njohur për policinë) nuk është hasur dhe i është lënë ftesa për lajmërim në polici.
“I dyshuar është intervistuar dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohet në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet tutje. /Telegrafi/