Site icon Telegrafi

Vazhdon përplasja Tahiri-Haxhiu, kryetari i Vushtrrisë thotë se nuk i frikësohet shantazheve

Ka vazhduar edhe më tej përplasja verbale në mes kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut në lidhje me punimet që kanë rifilluar në pronën e ish Hotel Vicianum.

E fundit që kishte reaguar ishte Haxhiu e cila ka paralajmëruar ngritje të kallëzimit penal në rast se nuk ndalen punimet e rifilluara në këtë pronë.

“z. Xhafer Tahiri, zbatojeni vendimin që e keni pranuar nga Ministria e Drejtësisë ose do të detyrohemi të bëjmë kallëzime penale!”, shkroi Haxhiu.

Pas këtij postimi të Haxhiut, ka reaguar kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Lexo po ashtu Replika e kundër-replika, përplasen Albulena Haxhiu me Xhafer Tahirin për punimet në “Vicianum”

Tahiri ka shkruar në Facebook se Haxhiu po bën presion publik për të zgjidhur problemet juridike të ministrisë, që i ka krijuar vetë.

“Të gjitha Qeverive dhe të gjithë Kryeministrave e Ministrave të Drejtësisë u kam kërkuar në emër të Komunës së Vushtrrisë, kthimin e pronës së ish Vicianum për interes të qytetarëve të Vushtrrisë. Asnjëri nuk e ka kthyer. As Albulena Haxhiu nuk po ja kthen pronën Komunës së Vushtrrisë. Pa zotësinë e saj po e mbulon me kërcënime boshe”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se nuk i frikësohet shantazheve, derisa ka insistuar se aty do të ndërtohet Stacioni i Autobusëve.

“Nuk frigohem e nuk shantazhohem, e kam një qytet me vete sepse aty duhet të bëhet Stacioni i Autobusëve dhe pikë”, ka shkruar Tahiri. /Telegrafi/

Exit mobile version