Përplasja e ashpër virtuale që nisi në mes të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe deputeti të Nismës, Milaim Zekës ka marrë një drejtim tjetër.
Ndaj Milaim Zekës, sot Ramiz Lladrovci ka ushtruar padi. Por jo vetëm kaq.
Si dëmshpërblim, kryetari i Drenasit po ia kërkon Zekës 100 mijë euro.
Krejt kjo po ndodh pasi ish- gazetari deklaroi se Ramiz Lladrovci e ka akuzuar Hashim Thaçin për një vrasje të rëndë.
“Ekzistojnë tri letra me nënshkrimin e Ramiz Lladrovcit të vitit 2003, ku ai e akuzon presidentin Thaçi për një vrasje të rëndë të një njeriu, i cili sot është dëshmor në Kosovë. E akuzon për vrasjen e Behadin Hallaqit, po e them me emër”, kishte thënë Zeka në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Ndërkaq, Ramiz Lladrovci premes një postimi në Facebook, ka njoftuar se e ka deponuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë ndaj zyrtarit të Nismës, deputetit Milaim Zeka.
“Ashtu siç jam zotuar, sot e kam deponuar dhe protokolluar padinë ndaj Milaim Zekës, për shpifje dhe fyerje, në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pres, sa më shpejt, të sqarohet para gjyqit gjithçka”, ka thënë Lladrovci.
Gjithashtu, Lladrovci, kishte thënë se pretendimet e Zekës për dokumentet në fjalë nuk ekzistojnë dhe se ato janë pjesë e imagjinatës së tij. /Telegrafi/