Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave të diasporës, veprim ky që erdhi pas vendimit të sotëm të Gjykatës Supreme për të numëruar 1,806 pako me fletëvotime të ardhura nga jashtë.
Numërimi i votave për subjekte politike ka përfunduar, e tani është në proces ai për votat e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga mërgata ka filluar me qëllim të zbatimit të vendimit të Gjykatës Supreme.
“Sa i përket pjesës së subjekteve politike, pra numërimit të fletëvotimeve për këtë pjesë ka përfunduar brenda afatit të paraparë, ndërkaq në këto momente është duke u numëruar edhe pjesa e votimit sa i përket rezultatit të kandidatëve. Besojmë që brenda pak kohës, pak minutash, do të përmbyllet edhe numërimi i kësaj pjese dhe do të përmbyllim këtë proces të numërimit”, tha Elezi.
Deri tani, sa i përket numërimit të votave për subjekte politike, nga 1992 vota sa ishin të vlefshme në 1806 pakot, më së shumti vota kanë shkuar për Lëvizjen Vetëvendosje, pra 1,154 vota, e dyta është LDK me 395 vota, PDK ka marrë 276 vota, koalicioni AAK-PSD 79 vota, koalicioni Nisma-AKR-PD ka marrë 26 vota, raporton KosovaPress.
Zëdhënësi i KQZ-së tha që KQZ nesër pret të bëjë certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit.
Por, me shpalljen e rezultatit përfundimtar nuk përmbyllet procesi zgjedhor meqë subjektet politike dhe kandidatët kanë afat 24 orë për të paraqitur ankesat e tyre në PZAP dhe pastaj ky institucion ka 72 orë kohë për të shqyrtuar këto ankesa.
E nëse PZAP hedh poshtë ndonjë ankesë, subjekti politik apo kandidati, mund të paraqes ankesën brenda 24 orëve në Gjykatën Supreme dhe gjithashtu ky institucion ka 72 orë kohë për të shqyrtuar ankesat.
Se a do të mund të ketë prapë rinumërim, KQZ thotë se do të pres vendimet e institucioneve përgjegjëse për trajtimin e ankesave të mundshme të subjekteve apo kandidatëve.
“KQZ ka bërë këto rinumërime, 847 vendvotime i ka rinumëruar pas rekomandimeve të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, për shkak të të gjeturave gjatë procesit të pranimit të materialit të ndjeshëm zgjedhor, por ne nuk e dimë se çfarë do të jetë natyra e ankesave të subjekteve politike dhe kandidatëve, të cilët kanë të drejtë t’i paraqesin ankesat në këto institucione dhe ne gjithashtu nuk e dimë se çfarë do të jenë vendimet e këtyre institucioneve lidhur me ankesat në fjalë”, tha ai.
Numërimi i këtyre votave sot erdhi pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Supreme ju kjo e fundit mori vendim për numërimin e këtyre 1806 pakove me fletëvotime nga mërgata. Ditë më parë, KQZ-ja nuk kishte proceduar për votim në QNR këto pako me fletëvotime, teksa Lëvizja Vetëvendosje fillimisht ishte ankuar në PZAP, e cila ankesën e kishte vlerësuar si të pabazuar. Për këtë arsye, kjo parti dje ka dorëzuar ankesën tjetër në Gjykatën Supreme./KP/Telegrafi/