Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet përkatëse, po vazhdojnë fushatat informuese për qytetarët për pajisje me targa “RKS”.
Fushata informuese i drejtohet qytetarëve të cilët posedojnë targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA”, apo “ĐA”, e të cilët nga data 1 shtator 2022 deri me 31 tetor 2022, duke shpjeguar mënyrën si të aplikojnë dhe të pajisen me targa “RKS”.
Ministria e Brendshme njofton se të gjitha fushatat si, video-spotet, komunikatat njoftuese, banerat dhe fletushkat, iu janë adresuar dhe shpërndarë të gjithë qytetarëve pa dallime (në gjuhët shqipe dhe serbe), me qëllim të informimit të tyre me kohë, dhënies së sqarimeve të nevojshme për procedurat dhe kriteret e parapara për pajisje me targa “RKS”.
“Ministria e Punëve të Brendshme është e angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet maksimalisht për informimin e qytetarëve, asistimin në ndjekjen e hapave të nevojshme dhe mbarëvajtjen e procesit”, thuhet në komunikatën për media.
“Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve kanë vazhduar më tej me përgatitjet në të gjitha komunat në Republikën e Kosovës, për të mirëpritur të gjithë pronarët e automjeteve”, thuhet tutje.
Në vijim gjeni materialet si pjesë të fushatës informuese: linqet e videospoteve, banerat, fletushkat, si dhe disa foto të realizuara gjatë shpërndarjes së fletushkave informuese në vendkalimet kufitare dhe në rajone, kryesisht në zona të banuara me komunitetin serb. /Telegrafi/