Telegrafi

Vazhdon forma fantastike e Utah, Lakers nuk po e rimarrin veten

(Foto: Instagram/lakers)

Moment jo i mirë për kampionët në fuqi të NBA. Los Angeles Lakers pësuan humbjen e tretë rresht dhe të katrën në pesë ndeshjet e fundit teksa u mposhtën pas kohës shtesë nga Washington Wizards me rezultatin 124-127 brenda në Staples Center.

Një humbje që djeg kjo pasi i zbriti Lakersat në vendin e tretë në Konferencën e Perëndimit pas Utah Jazz dhe kushërinjve të Los Angeles Clippers.

Vijon momenti i artë ndërkohë për skuadrën kryeqytetase me Wizards që morën fitoren e pestë radhazi. Diferencën në sfidën e Staples Center e bëri dyshja Bradley Beal-Rusell Westbrook. I pari koleksionoi në total 33 pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime, ndërkohë që Westbrook iu afrua shumë triple-double me 32 pikë 14 rikuperime poshtë tabelës dhe nëntë pasime decisive.

LeBron James nuk mundi të evitonte i vetëm humbjen e La Lakers edhe pse arriti të koleksiononte 29 pikë, nëntë kërcime dhe dhe 13 asistime, me kalifornianët që ndjenë mungesën e dy yjeve të tjerë të skuadrës Antony Davis dhe gjermanit Denis Schroder.

Nuk njeh limite në këtë sezon Utah Jazz që mori fitoren e 21-të në 23 ndeshjet e fundit, pasi mposhti lehtësisht në Salt Lake City me rezultatin 132-110 Charlotte Hornets.

Tre çerekët e parë ishin thuajse të baraspeshuar ndërkohë që diferencën Utah e bëri në çerekun e fundit në të cilën shënoi 21 pikë më shumë se Charlotte duke regjistruar fitoren e 25-të në 31 takime, ecuri kjo që e mban në krye të Konferencës së Perëndimit.

Mitchell me 23 pikë ishte më i miri mbi parket për Utah. U rikthye menjëherë te fitorja edhe Dallas Mavericks që mposhti Memphis Grizzlies në American Airlines Center me rezultatin 102-92. Hardaway dhe Luka Doncic me 50 pikë që koleksionuan të dy së bashku udhëhoqën Mavericks drejt suksesit të pestë në gjashtë ndeshjet e fundit.

Vijon rënia e lirë për Houston Rockets që pësoi humbjen e tetë rresht pasi u mposht edhe nga Chicago Bulls brenda në Toyota Center në Texas me rezultatin e thellë 100-120. White dhe Zac LaVine me 24 dhe 21 për kokë ishin dy më të mirët mbi parket për Bullsat.