Site icon Telegrafi

Vazhdon bllokada në veri pavarësisht thirrjeve për shtensionim – serbët lokalë thonë se janë të detyruar të protestojnë

Dy rrugë nacionale që lidhin Kosovën me Serbinë, po vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga kamionët dhe veturat e vendosura nga banorët lokalë serbë prej kur Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë vendimin e saj për reciprocitet me Serbinë për targat e automjeteve.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.

Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq vizitoi forcat ushtarake në Rashkë dhe Novi Pazar, që gjendet në kufi me Kosovën, duke thënë se trupat serbe atje ishin në gatishmëri të lartë derisa në veri të Kosovës për të katërtën ditë me rradhë po vazhdojnë tensionet dhe kundërshtimet e serbëve lokal ndaj një mase reciprociteti të cilën autoritetet e Kosovës e vendosën për çështjen e targave. Stefanoviq u shoqërua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjenerali, Millan Mojsilloviq.

Situata në komunat veriore

Disa punonjës të institucioneve serbe që veprojnë në Kosovë kanë konfirmuar ata janë “të detyruar” që përmes ndërrimeve të kujdesen për bllokimin e vendkalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Ata folën në kushte anonimiteti dhe thanë se autoritetet lokale po u kërkojnë ta bëjnë këtë.

Derisa protestat e serbëve në këto lokalitete po vazhdojnë, shumica e objekteve hotelierike në katër komuna në veri të Kosovës po mbyllen.

Radio Evropa e Lirë mëson se qëllimi i kësaj mase është që sa më shumë njerëz të shkojnë në barrikada në Leposaviq, ku ndodhet vendkalimi Jarinjë, ose në Zubin Potok, në territorin e të cilit ndodhet kalimi kufitar Bërnjak.

Edhe pronarët e objekteve hotelierike në veri të Kosovës nuk kanë dashur të zbulojnë identitetin e tyre.

Policia e Kosovës: Është vendosur pengesë shtesë me zhavorr

Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se qytetarët lokalë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak – të cilët kanë bllokuar rrugën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të masës së reciprocitetit në targa – kanë përforcuar bllokadat me zhavorr.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, përveç këtyre përforcimeve, situata vazhdon të jetë e njëjtë, pa incidente.

“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavorr që është vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi”, ka thënë Kelani.

MPB: Mbi 6.000 targa të përkohshme janë lëshuar për tri ditë

Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës ka njoftuar se prej 20 shtatorit e deri në përfundim të ditës së mërkurë, më 22 shtator, ka lëshuar 6.375 targa të përkohshme në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PPK) dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në tërë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë, mbi 3.000 targa të përkohshme janë lëshuar në të gjitha vendkalimet kufitare Kosovë – Serbi, ndërkaq, numri më i madh i tyre është lëshuar në vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdar.

Në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, në veri të Kosovës, të cilat janë bllokuar nga serbët lokalë, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme janë lëshuar 24 tabela të përkohshme.

Pjesa tjetër e numrit të përgjithshëm të targave të përkohshme janë lëshuar në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, nëpër komunat e ndryshme, përfshirë edhe katër komunat në veri të Kosovës.

SHBA-ja kërkon veprime të menjëhershme për shtensionim

Shtetet e Bashkuara thonë se duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

I ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe, njoftoi se ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me të cilin ka diskutuar për rëndësinë e riangazhimit në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Një takim i mirë me kryeministrin Kurti mbi rëndësinë e riangazhimit në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjen e targave dhe të tjera. Nevojiten hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”, thuhet në një postim të, Nicholas Giacobbe, në rrjetin social Twitter.

Pozicionet e palëkundura

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të mërkurën u ka bërë thirrje qytetarëve serbë, të mbledhur në afërsi të vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që të lirojnë rrugët e bllokuara.

Ai gjithashtu ka theksuar se është i gatshëm që të shkojë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në rast të një ftese nga Bashkimi Evropian dhe se Kosova është e gatshme ta heqë masën e reciprocitetit sa u përket targave, në qoftë se Beogradi do ta bëjë të njëjtën gjë për targat e automjeteve nga Kosova.

Por, presidenti serb Vuçiq, ka deklaruar se për të biseduar, gjendja duhet të kthehet ashtu siç ishte para 20 shtatorit.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë thirrje të mërkurën për ulje të menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës, duke thënë se “të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nga nisja e tij në vitin 2011, mbeten valide dhe obliguese për të dyja palët”.

Ku janë liderët e Listës Serbe?

Që kur filloi kundërshtimi i serbëve lokalë, në katër komuna në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kryetarët e komunave që janë pjesë e Listës Serbe gjatë tërë kohës janë në barrikada me popullatën vendase.

Lista Serbe është partia kryesore serbe e Kosovës, dhe mban pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Kjo parti është e afërt me Partinë Përparimtare Serbe në pushtet të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Gjithashtu kjo parti ka 10 deputetë në Parlamentin e Kosovës, si dhe udhëheq me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Shefi i UNMIK-ut bën thirrje që çështja e targave të zgjidhet përmes dialogut

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, ka reaguar të enjten pas bllokadave të krijuara në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në targat e Serbisë, duke u kërkuar të gjitha palëve që të adresojnë çështjet që kanë përmes mekanizmave të dialogut dhe të marrin hapa për të shmangur tensionet.

Ai ka thënë se veprimet e njëanshme bartin me vete rrezikun e përshkallëzimit dhe duhet të shmangen në interes të paqes dhe sigurisë së popullatave.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Exit mobile version