EULEX dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarr një aksion bastisjesh nëpër disa lokacione në Republikën e Kosovës.
Në një prononcim për Telegrafin, zyrtar të EULEX-it kanë thënë se aksioni është ende duke vazhduar, dhe ky aksion është në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Aksioni i cili ka filluar në orët e hershme të mëngjesit ka të bëjë me krimin e organizuar, dhe aktualisht Policia e Kosovës dhe EULEX-i janë duke bastisur në 50 lokacione të ndryshme.
Aksionin që ata e kanë ndërmarr ka cak edhe arrestimin e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla.
Mësohet se tashmë Policia ka qenë në shtëpinë ku jeton Azem Syla, por meqenëse ai nuk ndodhej aty i ka lënë një ftesë për tu paraqitur në Polici.
Hetimet për Sylën kanë të bëjnë me dyshimet se ai është pjesë e grupit kriminal i cili tjetërsoi prona shoqërore në zonat kadastrale përreth Veternikut dhe Cagllavicës.
Por gjithashtu, Policia e Kosovës dhe EULEX në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, mbi dy orë kanë bastisur njërën nga ndërtesat e banimit, përkatësisht banesën e ish shoferit të deputetit Azem Syla, ku edhe e kanë arrestuar.
Mirëpo, aksioni nuk ka kursyer edhe burgun e Dubravës. Qelitë e dy të burgosurve Shaban Syla, kushëri i Azem Sylës dhe Shpresim Ukaj, të dënuar në rastin “Bllaca”, janë bastisur nga forcat policore.
Në kërkim të Azem Sylës, aksioni ka vazhduar deri në fshatin e tij Kishnarekë.
Në këtë aksion përpos vendqëndrimeve të Azem Sylës, janë në proces të kontrollimit edhe 15 lokacione të tjera në mbarë vendin.
EULEX-i ka bastisur edhe zyrat e avokatit Nuhi Uka, ish-kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë, i cili nuk gjendej në zyrën e tij.
Gjithashtu, ky aksion ka vazhduar më tej në drejtim të shtëpisë së Shpresim Uka, i cili është në vuajtje të dënimit në burgun e Dyzit. EULEX-i ka bastisur shtëpinë e tyre me dyshimin për të kërkuar disa dokumente që sipas EULEX-it janë të falsifikuara.
Në përgjithësi, burimet e EULEX-it kanë thënë se bëhet fjalë për një grup prej 40 personash, ndërsa në shënjestër për t’u bastisur janë 42 lokacione.
Lidhur me këtë, ka reaguar analisti Lumir Abdixhiku, i cili tha se njëri ndër bashkëpunëtorët e presidentit po përndiqet nga Policia për afera korruptive dhe krim të organizuar. /Telegrafi/
Foto: Ilustrim