Shpërthime të shumta janë dëgjuar pranë ambasadës amerikane në Bagdad, pasi tre raketa kanë goditur këtë zonë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, raketat besohet të kenë huqur cakun, me raportet lokale që sugjerojnë se ato goditën një kompleks apartamentesh, duke vrarë civilë.
Kjo thuhet të jetë nata e dytë me radhë që ambasada është sulmuar dhe vjen pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani nga SHBA-ja.
Banorët e kryeqytetit të Irakut në Bagdad thonë se tri shpërthime u dëgjuan brenda Zonës së Gjelbër të fortifikuar fort, ku gjendet shtëpia e ambasadës amerikane dhe selia e qeverisë së Irakut.
Gjithashtu bëhet e ditur se sirena të alarmit u dëgjuan të dielën në zonën në bregun perëndimor të lumit Tigris.
Ngritja e tensioneve në rajon është shoqëruar edhe me autorizimin nga preisidenti amerikan, Donald Trump për vrasjen e Qassem Soleimani, derisa ai po linte aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit në Irak.
Soleimani, arkitekti i operacioneve klandestine dhe ushtarake të Teheranit, si shef i forcave të Qudsit të Gardës Revolucionare, u vra të premten në një sulm me dronë amerikanë derisa gjendej në një kolonë në aeroportin e Bagdadit.
Si përgjigje, autoritetet iraniane thuhet se kanë bërë të ditur se do të ofrojnë një shpërblim prej 80 milionë dollarësh për kokën e presidentit amerikan Donald Trump, pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani.
Sipas Mirror, një “ofertë e tillë” është bërë gjatë transmetimit televiziv të funeralit nga transmetuesit zyrtarë shtetërorë.
Veç kësaj, Irani ka bërë të ditur se nuk do të respektojë me asnjë kufizim të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, njoftoi të dielën televizioni shtetëror i vendit. /Telegrafi/