Kanë vazhduar edhe të dielën (sot) punimet në ndërtimin e murit përgjatë rreth-rrotullimi tek Rruga “Kollashini” pranë urës mbi lumin Ibër, në veri të Mitrovicës.
Muri që po ndërtohet në Rrugën “Kollashini” do të jetë 37.5 metra i gjatë, ndërsa lartësia e tij do të ndryshojë prej 40 në 70 cm, raporton Telegrafi.
Punimet në rreth-rrotullimin rrëzë urës, kanë nisur të premten, kurse betonimi i murit filloi të shtunën.
Punimet në këtë projekt është duke i kryer kompania “RAD”, pronar i së cilës është Radule Steviq nga Zveçani.
Ndërkaq, në muajin mars, zëdhënësja e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Dinka Zhival, u ka thënë mediave në veri se BE-ja pret të zbatohet në tërësi Marrëveshja e Brukselit në përfundimin e rrugës “Mbreti Peter”, ku do të ndërtohet zona e këmbësorëve dhe rreth-rrotullimi.
Ndryshe, BE-ja ka investuar rreth 3.1 milionë euro në dy projekte, revitalizimin e urës mbi lumin Ibër si dhe projektin e komunës së veriut të Mitrovicës tek sheshi “Mbreti Peter”./Telegrafi/